Gjilan

Shoqata “Pogragja” ndihmon edhe 22 familje nevojtare

Në prag të përfundimit të këtij viti të vështirë e me plot sfida, shoqata “Pogragja” u ka dalë në ndihmë për të katërtën herë këtë vit familjeve pogragjase me gjendje më të vështirë ekonomike.

Kështu të mërkurën dhe të enjten kjo shoqatë me pako ushqimore ka ndihmuar 22 familje pogragjase që e kanë gjendjen e vështirë ekonomike dhe kanë nevojë për ndihmë. Sikur edhe herëve tjera, shoqata “Pogragja” vepron nën moton “ Bashkë më lehtë i kalojmë vështirësitë”.

Përfituesit e ndihmave, të cilët këtë vit disa herë janë ndihmuar nga shoqata, kanë falënderuar shoqatën për përkujdesin që po tregon ndaj këtyre familjeve.

Ky aksion humanitar, i katërti gjatë këtij viti, ka mundësuar që sadopak këto familje për festën e Vitit të Ri t’i kenë sofrat me më shumë begati dhe ta ndiejnë atmosferën festive, sidomos fëmijët e këtyre familjeve. Sikur herëve të kaluara edhe këtë herë, familjet e ndihmuara janë përzgjedhur në bashkëpunim me Këshillit të fshatit, përkatësisht, kryetarin Arton Fetahu dhe Ismajlhaki Mustafa anëtar i Këshillit dhe koordinatori i shoqatës, Sami Durmishi.

Ata thanë se janë të bindur që nga ky aksion i mundësuar nga vëllezërit tanë mërgimtarë, janë ndihmuar familjet më nevojtare pogragjase, por se janë të vetëdijshëm që ky numër mund të jetë edhe më i madh. Në emër të kryesisë së shoqatës “Pogragja”, kryetari Burim Jashari, sekretari Blerim Salihu dhe koordinatori Sami Durmishi, thanë se ndihen të lumtur që po i bëjmë një shërbim modest këtyre familjeve në këtë kohë të vështirë e cila ka ndikuar shumë në përkeqësimin e gjendjes së tyre ekonomike. Ata kanë falënderuar gjithë pogragjasit për ndihmat që po japin në shoqatë, sidomos mërgimtarët që po kontribuojnë në aksionet e shoqatës dukje sjellë gëzim në këto familje nevojtare. Vlen të përmendet, që nga muaji prill e deri në fund të këtij viti, shoqata “Pogragja” në katër aksione humanitare ka ndihmuar me pako ushqimore 95 familje pogragjase të cilave për shkak të pandemisë u është përkeqësuar edhe më shumë gjendja ekonomike familjare, duke shpenzuar kështu rreth 3 mijë euro për bamirësi.

You Might Also Like