Gjilan

Shtyhet për seancën e radhës raporti i punës së kryetarit dhe raporti financiar për vitin 2024

Gjilan, 27 mars 2025 – Kuvendi i Komunës së Gjilanit, nën udhëheqjen e Kushtrim Kadriut, kryesues, në seancën e të enjtes, me kërkesën e kryetarit Alban Hyseni, ka shtyrë për seancën e radhës raportin e punës së kryetarit për vitin 2024 dhe raportin financiar për vitin fiskal 2024.

Ndërkaq, Kuvendi ka miratuar plotësim-ndryshimin e Komisionit për emërtimin e rrugëve e raportin e Komisionit për zgjedhjen e këshillave lokalë, ku në këtë të fundit pati mospajtime të thella pozitë-opozitë.

Kryesuesi i këtij Komisioni, Besnik Shala (VV), ka refuzuar që të raportojë pasi ka kërkuar që të formohet një Komision për shqyrtimin e ankesave, duke qenë se janë dy ankesa që kërkojnë shqyrtim, të cilin e kanë kundërshtuar shefat e grupeve të LDK-së dhe PDK-së, duke thënë se nuk ka më arsye për shtyrje të kësaj pike. Në këtë rast, para asambleistëve ka raportuar në emër të Komisionit Avdyl Aliu, shef i grupit të LDK-së.

Kuvendarët e Gjilanit kanë miratuar, po ashtu, edhe kërkesën për lirimin nga pagesa të shërbimeve të institucioneve të shëndetësisë primare për pjesëtarët e FSK-së, të cilën e ka arsyetuar Gentrit Murseli, ndërkaq kanë shtyrë ka shtyrë për një seancë tjetër informatën për manifestimin tradicional “Flaka e Janarit 2025”, pasi drejtori i DKRS-së, Kushtrim Zeqiri, është arsyetuar se nuk janë alokuar të gjitha mjetet dhe nuk kanë arritur që ta realizojnë raportin financiar.

Po ashtu, Kuvendi ka shtyrë për një seancë tjetër diskutimin rreth kontratave mbi vepër, derisa i ka rekomanduar ekzekutivit që ta bëjë plotësim-ndryshimin e rregullores për sistematizimin e vendeve të punës, për balancimin e pagave në shërbimin civil.

Në këtë seancë, kuvendarët e Gjilanit kanë shfuqizuar disa vendime, të cilat nga MAPL janë cilësuar si të kundërligjshme, atë për shujtat për shërbyesit civilë, vendimi për ndarjen e shumës për Shoqatën e të Verbërve, shoqatën Handikos, Down Sindrom e Pema, sikurse edhe  vendimin për ndihmë financiare për Ismete Baftiun e Besim Jasharin.

Në këtë rast, Kuvendi i Komunës së Gjilanit i ka rekomanduar drejtorive komunale që të marrin veprime të shpejta për shpalljen e thirrjeve publike sipas udhëzimit administrativ, ku mjetet që janë ndarë për këto kategori, të barten te kategoria e subvencioneve, dhe në këtë mënyrë t’u ndihmohet këtyre kategorive si nevojë e domosdoshme.

Paraprakisht, në këtë senacë kanë adresuar pyetje e vërejtje për ekzekutivitin edhe  Bujar Nevzati, Avdyl Aliu, Nazim Gagica, Gentrit Murseli, Afërdita Balaj, Rijad Elezi, Muhadin Haziri, Ardhmërie Musliu, Sami Ahmeti, Imran Haziri, Gresa Avdiu, Arbër Musliu, Ismajl Kurteshi, Shpresa Kurteshi –Emini e Ardita Ukshini, të cilëve u është përgjigjur kryetari Alban Hyseni dhe drejtorët komunalë, Ali Arifi, Shpend Nuhiu, Bejtulla Osmani, Kushtrim Ibrahimi e Hekuran Rapuca.

You Might Also Like