Ndodh edhe kjo në futbollin kosovar. Pak orë para se të nis ndeshja Prishtina – Gjilani, e paralajmëruar me bujë të madhe, ajo sipas të gjitha gjasave nuk do të zhvillohet. Arsyeja për moszhvillimin e ndeshjes është shumë banale, Stadiumi i Prishtinës “Fadil Vokrri” ende nuk është pranuar teknikisht.
Portalet prishtinase raportojnë se është zyrtare që ndeshja nuk do të zhvillohet, ngase Ministria ia ka bërë me dije Prishtinës se stadiumi ende nuk është pranuar teknikisht, kurse federata gjatë tërë kohës ka heshtur dhe tash pak para se të nis ndeshja edhe ajo është në dijeni se ndeshja nuk mund të zhvillohet.
Në FC Gjilani i kanë bërë të gjitha përgatitjet, bile “Skifterët” kanë paralajmëruar se për në Prishtinë do të udhëtojnë me shtatë autobus.
Sipas ligjeve të futbollit, ndeshjet mbase edhe mund të shtyhen, por në raste kur është gjendje e jashtëzakonshme e jo për raste të tilla banale si ky.
Edhe pot ë shtyhej ndeshja për ndonjë ditë, kjo do t’i prishte punë ekipeve, sidomos Gjilanit, që dy ndeshje radhazi duhet t’i zhvillojë jashtë terrenit të vet.