Futboll

Zymberi: Drita ka për objektiv rikthimin e titullit kampion

Afati kalimtar për FC Dritën ka nisur me të përfunduar stinori vjeshtor i kampionatit. Drejtuesit e klubit janë angazhuar për të kërkuar futbollistë që do të rrisin cilësinë e organikës aktuale, gjithmonë në bazë të kërkesave të trajnerit Ardian Nuhiu, shkruan Gazetasheshi.com.

Bilanci i ‘bardhekaltërve’ deri më tani është 2 me 2. Dy futbollistë janë larguar dhe dy të tjerë kanë ardhur. Brazilianëve Lucas Cardosos dhe Gilberto Fortunatos i’u është treguar dera, ndërkohë që dera i është treguar edhe Astrit Fazliut dhe Kastriot Rexhës, por ajo e mirëseardhjes.

Klubi gjilanas nuk e ka ndërmend të ndalet në afatin kalimtar të janarit, derisa synon që të afrojë në skuadër edhe një mbrojtës të krahut të djathtë.

Këtë e ka konfirmuar edhe drejtori sportiv i këtij klubi Valon Zymberi, i cili për Gazetën “SHESHI” tregon gjithashtu edhe datën se kur skuadra do ti rikthehet punës.

“Më 6 janar pritet që ta fillojmë fazën përgatitore. Fillimisht do të startojmë në shtëpi, ndërkohë më pas do të udhëtojmë jashtë vendit për ta zhvilluar fazën finale të përgatitjeve.

“Mund të ju konfirmoj që jemi në bisedime me disa futbollistë dhe kryesisht nga jashtë”, deklaroi Zymberi.

Zymberi gjithashtu foli edhe për zërat e fundit që po qarkullojnë në mediat vendore në lidhje me një afrim të mundshëm të mbrojtësit të Feronikelit, Përparim Islami, drejt skuadrës gjilanase.

“Përparimi është një lojtarë shumë cilësorë, por ai ka kontratë me Feronikelin dhe ne nuk hyjmë në bisedime me futbollistë të cilët janë nën kontrata. Ne i respektojmë klubet tjera dhe mund të ju konfirmoj që jemi në kërkim e siper të një mbrojtësi të krahut të djathtë nga jashtë vendit”, përfundoi Zymberi.

Drita do ta nis pranverën nga pozita e tretë e renditjes tabelare me të vetmin objektiv rikthimin e titullit kampion në Gjilan.

Në ndeshjen e parë të pranverës, Drita do të përballet me rivalin lokal Gjilanin.

/Gazeta Sheshi/

You Might Also Like