Universiteti Publik “Kadri Zeka” në Gjilan priti në një takim zyrtar një delegacion të investitorëve dhe përfaqësuesve të bizneseve nga India. Vizita u realizua në kuadër të qëndrimit të delegacionit në Gjilan me qëllim të eksplorimit të mundësive për bashkëpunim në fushën e arsimit, inovacionit, teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik.
Delegacioni nga India i kryesuar nga Dr. Asif Iqbal dhe përfaqësues tjerë të bizneseve, u pritën nga Prorektorja për Mësimdhënie dhe Çështje të Studentëve, Hulumtime dhe Kërkime Shkencore, Prof. Ass. Dr. Lindita Loku Nikçi dhe stafi tjetër i Universitetit. Prorektorja Loku fillimisht, në emër të Rektorit të Universitetit Porf. Asoc. Dr. Artan Dërmaku, u dëshiroi mirëseardhje mysafirëve, derisa prezantoi aktivitetet, programet studimore dhe orientimin strategjik të universitetit drejt ndërkombëtarizimit dhe krijimit të partneriteteve me institucione dhe organizata ndërkombëtare.
Gjatë takimit u diskutuan mundësitë e bashkëpunimit ndërmjet Universitetit Publik “Kadri Zeka” dhe institucioneve akademike e kompanive nga India. Një nga temat kryesore ishte zhvillimi i programeve të shkëmbimit për studentë dhe staf akademik, duke krijuar mundësi që studentët nga India të studiojnë në UKZ, ndërsa profesorët dhe studiuesit nga të dy vendet të realizojnë vizita akademike dhe profesionale për shkëmbimin e përvojave, njohurive dhe praktikave më të mira në mësimdhënie dhe kërkim shkencor.
Po ashtu, u bisedua për organizimin e konferencave të përbashkëta shkencore dhe profesionale, si dhe për përfshirjen e universitetit në iniciativa dhe rrjete ndërkombëtare që do të kontribuonin në zgjerimin e bashkëpunimit akademik dhe shkencor.
Një vëmendje e veçantë iu kushtua fushës së teknologjisë informative, ku përfaqësuesit e delegacionit shprehën interesimin për krijimin e partneriteteve ndërmjet UKZ-së dhe kompanive të njohura të teknologjisë në Indi. Në këtë drejtim u diskutua mundësia e zhvillimit të programeve të përbashkëta të trajnimit dhe certifikimit për studentët e Shkencave Kompjuterike, me qëllim që ata të fitojnë aftësi praktike dhe kompetenca të avancuara profesionale të kërkuara në tregun ndërkombëtar të punës.
Temë diskutimi ishin edhe proceset e sigurimit të cilësisë dhe akreditimit të programeve studimore, ku u theksua rëndësia e bashkëpunimit me ekspertë ndërkombëtarë për avancimin e cilësisë në arsimin e lartë. Gjithashtu, u diskutua edhe për rëndësinë e pronësisë intelektuale, inovacionit dhe transferimit të dijes, si elemente kyçe për zhvillimin e institucioneve akademike dhe lidhjen e tyre me industrinë.
Në fund të takimit, të dyja palët shprehën gatishmërinë për të vazhduar komunikimin dhe për të konkretizuar idetë e diskutuara në projekte dhe aktivitete të përbashkëta, me synim forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe krijimin e mundësive të reja për studentët, stafin akademik dhe komunitetin më të gjerë.





