Me plot 39 gola të shënuar në këtë kampionat dhe me kalimin e tij të fundit në grupmoshat U17 të Kombëtares së Kosovës, 15-vjeçari Mesud Zymberi ka konfirmuar se është një nga talentet më premtues në futbollin vendor. Sulmuesi i krahut të majtë i Shkollës së Futbollit “Arbëria” në Gjilan, është kthyer në një “ankth” të vërtetë për mbrojtjet kundërshtare, duke tërhequr tashmë vëmendjen e shumë skuadrave të njohura kosovare.
Ajo që e bën Zymberin të veçantë nuk është vetëm talenti, por vazhdimësia e tij e jashtëzakonshme. Progresi i tij i frikshëm në tre vitet e fundit flet vetë: Kampionati 2023-2024: 31 gol, Kampionati 2024-2025: 30 gola ndersa ne Kampionati qe ka perfunduar tani: 39 gola në 25 ndeshje.
Këto shifra e kanë shpallur atë bindshëm golashënuesin më të mirë të grupmoshës së tij. duke marrë cmimin si “Golashënuesi më i mirë “. Vlerësimi i tij nuk vjen si befasi; vetëm një vit më parë, Komuna e Gjilanit e nderoi atë me çmimin “Shpresa e Vitit për Sport”, një epitet që ai e ka justifikuar me hapa të sigurt këtë sezon.
Pavarësisht shkëlqimit individual dhe marrjes së “Këpucën e Artë”, 15-vjeçari tregon një pjekuri të rrallë për moshën e tij, duke ia faturuar suksesin punës ekipore. “Ishte një kampionat shumë i vështirë me lojëra të forta. Këta gola nuk janë vetëm merita ime, por e gjithë bashkëlojtarëve të mi të cilët dhanë një kontribut të madh drejt sukseseve të klubit tonë. Ndihem shumë krenar me ekipin dhe trajnerin tonë, Ismet Ramushi, i cili na sugjeron më të mirën për karrierën tonë,” – u shpreh Zymberi pas pranimit të çmimit.
Nga suksesi me Kombëtaren e Kosovës U15, Zymberi tani ka bërë hapin e radhës duke u bërë pjesë e kategorisë U17, ku pritet të ketë një rol kyç. Për të, fanella e Dardanëve është motivimi më i madh. “Jam shumë krenar që vesh fanellën e shtetit tim dhe në çdo paraqitje do të jap më të mirën që di dhe mundem. Nuk ka më krenari se të djersitesh dhe të japësh atomin e fundit për sukseset e shtetit,” – shton Zymberi me emocion.
Për talentin dhe shpejtësinë e sulmuesit të majtë, tashmë ka filluar një garë mes klubeve të njohura vendore që duan ta kenë në radhët e tyre. Megjithatë, futbollisti ka bërë të ditur se, për momentin, fokusi i tij i plotë mbetet tek Shkolla e Futbollit “Arbëria”, aty ku po zhvillohet dhe po hedh themelet e një karriere që premton shumë.





