Sportet luftarake

Boksieri gjilanas Erdonis Maliqi shkëlqen në ring, shpallet kampion në Belgjikë

Boksieri gjilanas Erdonis Maliqi shkëlqen në ring, shpallet kampion në Belgjikë

Boksieri 24-vjeçar nga Gjilani, Erdonis Maliqi, po vazhdon të shkëlqejë mes litarëve të ringut, duke i hapur çdo ditë e më shumë vetes dyert e suksesit në arenën profesioniste të boksit.

Së fundmi, Erdonisi ka treguar edhe një herë talentin dhe kualitetet e tij të jashtëzakonshme duke mposhtur boksierin holandez, Steve Suppan, me nokaut që në raundin e parë. Ky meç ishte i vlefshëm për titullin e kampionit në Belgjikë, i cili u zhvillua në kategorinë Super Velter.

Boksieri holandez, Steve Suppan, njihet si një sportist shumë cilësor dhe me përvojë të madhe në ring. Para kësaj përballjeje, ai numëronte 16 fitore dhe vetëm tri humbje. Erdonis Maliqi e dominoi atë duke i shkaktuar humbjen e katërt në karrierë dhe duke u kurorëzuar kështu me titullin kampion në shtetin e Belgjikës.

Kjo fitore e shpejtë vjen pas një tjetër suksesi të madh të shënuar në fund të muajit mars të këtij viti, ku boksieri gjilanas mposhti, po ashtu me nokaut, boksierin hungarez Ferenc Katona.

Pas sigurimit të titullit, Maliqi shprehu gëzimin e tij dhe falënderoi mbështetësit:
“Kundërshtari im nga Holanda ishte një boksier shumë i fortë dhe me një përvojë të madhe në ring. Për këtë meç isha shumë i përgatitur dhe e dëshiroja titullin e më të mirit në shtetin e Belgjikës. Jam shumë i lumtur për fitoren që në raundin e parë. Këtë fitore ia dedikoj familjes, farefisit tim, po ashtu edhe fansave të mi dhe popullit të Kosovës. Për mua, kjo fitore në rrugëtimin tim do të thotë shumë,” – tha Erdonis Maliqi.

Deri më tani, Erdonis Maliqi ka një bilanc fantastik në karrierën e tij. Ai ka zhvilluar 9 meçe në boksin profesionist dhe ka arritur 9 fitore, prej të cilave 6 ndeshje i ka mbyllur para kohe me nokaut.

Maliqi nuk ka ndërmend të ndalet në asnjë moment. Ai thekson se është duke punuar fort dhe premton se gjatë këtij viti do të ketë ende befasi të tjera të këndshme për të gjithë dashamirët e boksit dhe mbështetësit e tij.

You Might Also Like