Futboll

Gjilani turpërohet nga Vushtrria

FC Vushtrria, klub që në 7 ndeshje nuk kishte grumbulluar asnjë pike, turpëron Gjilanin duke e mposhtur 1-0. Gjilani nuk di për fitore në tri ndeshjet e fundit.

Pas një pjese të parë të ngadaltë, pjesa e dytë dhuroi golin e vetëm të ndeshjes. Në minutën e 60-të, goditja e devijuar e Maxhunit përfundon në kokën e Urim Statovcit, i cili e lë të shtangur portjerin e Gjilanit Ćorić.

Gjilani, me të gjitha forcat provonte ta barazonte rezultatin. Në minutën e 70-të, pas harkimit nga këndi, topi u largua nga mbrojtësit e Vushtrrisë vetëm deri te Rrahmani, volleja e te cilit fishkëlloji mbi shtyllën.

Rast të mirë pati edhe Armend Thaqi nga goditja e lirë. Në minutën e 81-të, nga një distancë jo shumë e largët, ai nuk arriti ta godiste kuadratin.

Statovci mundi ta vë lojën në gjumë në minutën e fundit pasi fitoi një duel shpejtësie me Gërbovcin, disi e kaloi Ćorićin, por topi u largua në vijë nga Blerind Morina.

Forma e dobët e Gjilanit po vazhdon, cikli i vjetër që “Skifterët” besonin se kishte marrë fund po përsëritet. Vushtrria, e cila luajti një lojë jo të bukur për sy, arriti të fitoj pikët e para të sezonës.

FC Vushtrria 1-0 SC Gjilani 

Stadiumi “Zahir Pajaziti”

10.10.2026

You Might Also Like