Lidhja Rajonale e Futbollit në Gjilan përmbyll një sezon të jashtëzakonshëm, ngritje e cilësisë, suksese kulminante dhe zhvillim i gjeneratave të reja
Me ardhjen e Armend Misinit në krye të Lidhjes Rajonale të Futbollit në Gjilan (LRFGJ), futbolli në këtë rajon ka njohur një ngritje të ndjeshme të cilësisë, disiplinës dhe avancimit të kuadrove të reja. Falë këtyre arritjeve dhe rezultateve kulminante, LRFGJ po konsiderohet sot si një nga lidhjet më të suksesshme në futbollin e Kosovës.

Lidhja ka përmbyllur me sukses të plotë të gjitha garat futbollistike për sezonin 2025-2026, duke organizuar në mënyrë shembullore kampionatet për grupmoshat U11, U13, U15 dhe U17. Ky organizim i ka dhënë një hije të bukur jo vetëm rajonit të Gjilanit, por mbarë futbollit kosovar.
Kryetari i LRFGJ-së, Armend Misini, është shprehur tejet i kënaqur me mbarëvajtjen e kampionatit, duke theksuar se gjithçka ka shkuar pa incidentin më të vogël.
“Jam shumë i lumtur që kemi përmbyllur kampionatin për këto grupmosha në nivelin më të lartë. I gjithë ky sukses, që nuk pati as ekscesin më të vogël, është meritë e të gjitha klubeve, trajnerëve, futbollistëve dhe zyrtarëve të garave. Secili ka dhënë kontributin e tij, dhe në fund as rezultatet nuk munguan,” u shpreh Misini.
Një vëmendje të veçantë këtë sezon mori formati i ri i garave për kategorinë U13. Kjo garë u zhvillua në fusha adekuate, me porta standarde dhe pa mbajtjen e rezultateve. Sipas kryetarit Misini, ky format ka ndikuar pozitivisht në zhvillimin teknik dhe edukativ të fëmijëve, duke e mbajtur fokusin jo vetëm te fusha e blertë, por edhe te suksesi i tyre në shkollë.
Rezultatet pozitive në LRFGJ u reflektuan edhe në arritjet e klubeve. Shkolla e Futbollit “Drita” (U15) arriti deri në finale, ndërsa Shkolla e Futbollit “Kosova-V” (U17) preku fazën e dytë të Play-Off-it.
Krahas klubeve, Lidhja ka organizuar vazhdimisht grumbullime për zbulimin e talenteve. Nga grupmosha e vitit 2011, dy futbollistë të LRFGJ-së u përzgjodhën nga trajneri Rainer Kraft për të vazhduar punën në Kampin Nacional në Hajvali.
Po ashtu, një arritje e madhe për rajonin është ftesa e katër talentëve në Kombëtaren e Kosovës U15, të cilët vlerësohen si lojtarë me potencial të madh për të ardhmen:
Admirim Muji – SC Gjilani
Orges Morina – SH.F. Kika
Shqiptar Musliu – SH.F. Kosova Viti
Erdi Hoxha – SH.F. Kosova Viti
Viti 2026 shënoi një tjetër hap të rëndësishëm për kapacitetet njerëzore të Lidhjes. Gjatë këtij viti u certifikuan 17 gjyqtarë të rinj, duke siguruar kështu një bazë solide për zhvillimin dhe mbarëvajtjen e futbollit rajonal në të ardhmen.
Për sezonin e ri 2026-27, LRFGJ premton befasi dhe rritje të konkurrencës. Në kategorinë e kadetëve pritet t’u bashkëngjiten edhe tri klube të reja, çka do të rrisë më tej rivalitetin sportiv dhe do t’u japë mundësi më shumë të rinjve të dëshmojnë potencialin e tyre.
Në cilësinë e Kryetarit të LRFGJ-së dhe njëherësh anëtarit të Komitetit Ekzekutiv në FFK, Armend Misini mbylli prononcimin e tij me një falënderim të gjerë për të gjithë aktorët e përfshirë.
“I falënderoj të gjithë futbollistët që kanë treguar një kulturë të lartë sportive dhe edukative. Falënderoj klubet, trajnerët, gjyqtarët, delegatët, mjekët, prindërit dhe sponsorët që nuk na lanë vetëm, por na ndihmuan vazhdimisht. Të gjithë këta kanë merita të veçanta për LRFGJ-në, sepse vetëm në këtë mënyrë arrihen sukseset. Në kampionatin e ardhshëm synojmë suksese të reja, së bashku me kryetarin e FFK-së, Agim Ademi, i cili po bën më të mirën për futbollin, që të ecim me hapa të mëdhenj drejt majave të reja,” përfundoi Misini.





