Kuvendi Komunal i Vitisë ka mbajtur sot mbledhjen e tetë të rregullt, të kryesuar nga kryesuesi i Kuvendit Komunal, Bekim Azizi.
Në fillim të seancës, kryesuesi Azizi i njoftoi të pranishmit lidhur me vlerësimin e ligjshmërisë së akteve të miratuara në mbledhjen e kaluar, ndërsa më pas Kuvendi vijoi me shqyrtimin e rendit të ditës.
Jashtë rendit të ditës, por me shumicë votash, në rend të ditës u përfshinë edhe këto pika: diskutimi për ankesën e banorëve lidhur me rrugën me kalldrëm “Rruga UÇK” në Viti ku më pas është rekomanduar që sipas mundësive ligjore të shikohet mundësia e rikthimit të kësaj rruge me asfalt.
Ndonëse si pikë shtesë kishte hyrë edhe propozim-vendimi për plotësimin dhe ndryshimin e Statutit të Komunës së Vitisë, kjo pikë nuk është shqyrtuar në mungesë të kuorumit.
Me shumicë votash u miratuan procesverbalet e mbledhjes së gjashtë dhe të shtatë të Kuvendit Komunal, Plani Ndërkomunal për Menaxhimin e Integruar të Mbeturinave për dymbëdhjetë komunat e rajonit të Gjilanit dhe Ferizajt (ZMM-5), propozim-vendimi për ndryshim dhe plotësim të vendimit për formimin e Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi, propozim-vendimi për shpalljen në diskutim publik të Projekt-Planit të Punës së Kuvendit Komunal të Vitisë për vitin 2027.
Ndërkaq, Pasqyrat Financiare të Buxhetit Komunal për periudhën janar–qershor 2026 u diskutuan nga anëtarët e Kuvendit Komunal.
Me theks të veçantë gjatë kësaj mbledhjeje u diskutua edhe Informata për punën e kryetarit të Komunës së Vitisë për periudhën janar–qershor 2026, të cilën e paraqiti kryetari i komunës, Sokol Haliti. Ai theksoi se raporti paraqet një përmbledhje të punës së realizuar nga Komuna e Vitisë gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026, duke ofruar një pasqyrë të aktiviteteve, vendimeve dhe rezultateve të arritura në ushtrimin e kompetencave komunale. Sipas tij, raporti dëshmon përkushtimin e Komunës së Vitisë për një qeverisje transparente, të përgjegjshme dhe me llogaridhënie, ndërsa pasqyron edhe investimet dhe aktivitetet e realizuara në fushën e infrastrukturës, arsimit, shëndetësisë, bujqësisë, mirëqenies sociale, kulturës, rinisë, sportit, zhvillimit ekonomik lokal, si dhe avancimin e administrimit komunal dhe shërbimeve elektronike.
Kryetari Haliti theksoi gjithashtu se, pavarësisht sfidave të hasura gjatë realizimit të disa projekteve, Komuna e Vitisë do të vazhdojë të jetë e orientuar drejt zhvillimit të qëndrueshëm lokal, përmirësimit të kushteve të jetesës, rritjes së cilësisë së shërbimeve publike dhe krijimit të mundësive të reja për zhvillim ekonomik e social, në bashkëpunim të ngushtë me institucionet qendrore, partnerët zhvillimorë, Kuvendin Komunal dhe qytetarët.
Në kuadër të mbledhjes u zhvillua edhe pika “Pyetje dhe përgjigje”, ku anëtarët e Kuvendit adresuan çështje të ndryshme me interes për qytetarët. Aziz Zuka




