Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, ka pritur në takim kryetarin e Bashkisë së Pogradecit, Ilir Xhafolli, me të cilin ka diskutuar për mundësitë e bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve lokale. Gjatë takimit, kryetari Haliti e njoftoi kryetarin Xhafolli me të arriturat e Komunës së Vitisë, duke u ndalur veçanërisht te projektet e realizuara gjatë viteve të fundit, si dhe aktivitetet e shumta të zhvilluara në fusha të ndryshme në komunë. Ai ka prezantuar edhe punën dhe angazhimin e institucioneve komunale në funksion të zhvillimit të Vitisë dhe përmirësimit të shërbimeve për qytetarët.
Ndërkaq, kryetari i Bashkisë së Pogradecit, Ilir Xhafolli, u fokusua më shumë në fushën e turizmit, duke e njoftuar kryetarin Haliti me pozitën e favorshme që ka Pogradeci dhe potencialin e tij turistik. Ai theksoi se fluksi i turistëve që e vizitojnë Pogradecin është në rritje nga viti në vit, duke e bërë turizmin një nga sektorët me rëndësi për zhvillimin ekonomik të kësaj bashkie.
Gjatë takimit u diskutua edhe për mundësinë e marrjes së iniciativës për hartimin e një marrëveshjeje bashkëpunimi ndërmjet Komunës së Vitisë dhe Bashkisë së Pogradecit. Marrëveshja do të synonte krijimin e një kornize të përbashkët për bashkëpunim dhe shkëmbim përvojash në fusha me interes për të dyja palët. Në fund të takimit, kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, e nderoi kryetarin e Bashkisë së Pogradecit, Ilir Xhafollin, me një mirënjohje për vizitën e tij në Viti dhe për kontributin në forcimin e bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve. Po ashtu, edhe kryetari Xhafolli ndau disa dhurata për kryetarin e Komunës së Vitisë, si shenjë respekti dhe miqësie gjatë kësaj vizite. Aziz Zuka



