Gjilan

Tetori Rozë në Gjimnazin “Xhavit Ahmeti”: Solidaritet, ndërgjegjësim dhe shpresë

Shkruan: Donika Ademi, nxënëse

Me rastin e Tetorit Rozë, muajit të ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, udhëhequr nga psikologia e shkollës, Kaltrina Jetishi dhe anëtarët e Klubit të Psikologjisë, në Gjimnazin “Xhavit Ahmeti” në Gjilan u realizua një punim simbolik, përmes të cilit u përcollën mesazhe të fuqishme të ndërgjegjësimit, solidaritetit dhe mbështetjes për të gjitha gratë që përballen me këtë sëmundje.

Përmes ngjyrës rozë, simbolit të fjongos dhe elementeve të ndryshme kreative, nxënëset synuan të përcjellin një mesazh të qartë e domethënës, askush nuk duhet të ndihet i vetëm në përballjen me vështirësitë.

Tetori Rozë nuk është vetëm një muaj simbolik, por edhe një kujtesë e rëndësishme për domosdoshmërinë e informimit, kontrolleve të rregullta mjekësore dhe diagnostikimit të hershëm të kancerit të gjirit. Po aq të rëndësishme janë mbështetja emocionale, mirëkuptimi dhe solidariteti me gratë dhe familjet që përballen me sfidat e kësaj sëmundjeje.

Përmes këtij aktiviteti, nxënëset, së bashku me stafin shkollor dhe profesoreshat, shprehën përkrahjen e tyre për këtë kauzë të rëndësishme shoqërore. Ky angazhim dëshmon se shkolla nuk është vetëm një hapësirë e dijes, por edhe një mjedis ku kultivohen humanizmi, empatia, solidariteti dhe përgjegjësia ndaj komunitetit.

Një fjongo rozë mund të jetë e vogël, por mesazhi që përcjell është i madh: shpresë, forcë, guxim dhe solidaritet.

Për këtë qëllim, në Gjimnazin Natyror “Xhavit Ahmeti” sot të gjithë u bënë bashkë, stafi drejtues i shkollës, mësimdhënës e nxënës, duke dëshmuar se vetëm bashkë mund të mposhten të gjitha vështirësitë.

Le të qëndrojmë pranë njëra-tjetrës jo vetëm gjatë Tetorit Rozë, por çdo ditë të vitit, duke përhapur vetëdije, mirësi dhe shpresë.

Ky aktivitet u realizua nga nxënëset Donikë Ademi, Erda Bajraliu, Zerina Ismajli dhe Jona Bajrami, nën mbikëqyrjen e psikologes së shkollës, Kaltrina Jetishi.

You Might Also Like