Futboll

Ja futbollistët gjilanas të cilët luajtën për reprezentacionin e ish-Jugosllavisë

Qyteti i Gjilanit ndër vite ka prodhuar emra të mëdhenj të sportit, në veçanti futbollistë me një potencial të jashtëzakonshëm për të ndërtuar karrierë në arenën ndërkombëtare. Megjithatë, depërtimi në majat e klubeve elitare ishte një mision pothuajse i pamundur, i kushtëzuar nga një pengesë e vetme dhe e padrejtë, përkatësia etnike shqiptare. Për të siguruar një vend të merituar në një shtet me 22 milionë banorë si ish-Jugosllavia, një futbollist shqiptar duhej të tregonte cilësi shumë herë më të larta se konkurrentët e tij, e prapëseprapë, talenti rrallëherë mjaftonte përballë barrierave politike.

Historia e këtij sporti në Gjilan daton që në vitin 1922, kur oficeri kroat Aljoza Stepinac solli topin e parë të futbollit në qytet. Megjithatë, rrugëtimi i vërtetë dhe i organizuar i futbollit mes shqiptarëve mban vulën e juristit dhe patriotit të shquar, Esat Berisha. Më 15 gusht 1941, së bashku me veprimtarë të tjerë, ai themeloi klubin e parë shqiptar, KF Bashkimi. Angazhimi i tij patriotik nuk u fal nga sistemi i kohës, duke çuar në pushkatimin e tij më 18 dhjetor 1944. Pas Luftës së Dytë Botërore, populli shqiptar nisi një integrim të fuqishëm në jetën publike dhe sportive, duke nxjerrë në pah gjenerata të arta futbollistësh.

Futbollisti i parë shqiptar që veshi fanellën e Përfaqësueses së Juniorëve të ish-Jugosllavisë ishte Jakup Berisha. Në vitin 1955, si një talent 17-vjeçar, ai llogaritej ndër lojtarët më premtues në shtet. Berisha zhvilloi ndeshjet e para përkrah emrave që më vonë bënë epokë në futbollin evropian, si: Dragoslav Shekularac, Milutin Shoshkiq, Milan Galiq, Stipiq, Popoviq, Mugosha, Mladenoviq e Kovaqiq.

Ndonëse u shpall si futbollisti më i mirë në mesin e këtyre bashkëlojtarëve të jashtëzakonshëm, ai nuk u ftua asnjëherë më në Përfaqësuesen A, me të vetmen arsye se ishte shqiptar. Gjatë karrierës së tij, ai mbrojti ngjyrat e C. Zvezdës së Gjilanit, Metohisë (Lirisë) së Prizrenit dhe Trepçës së Mitrovicës.

Me kalimin e viteve, dominimi i talentit shqiptar në fushën e blertë vetëm sa rritej. Në vitin 1978, sulmuesi i C. Zvezdës, Tajar Hoxha, mori ftesën për të përfaqësuar juniorët e ish-Jugosllavisë. I dalluar për driblingjet e pakapshme, shpejtësinë eksplozive dhe lojën e saktë në ajër, Hoxha ndau fushën me lojtarë si Mehmed Bazhdareviq, Davor Joziq, Ivan Gudelj e Mladenoviq. Paraqitjet e tij te shkelqyera, ben qe te shihej drejtuesit e dy gjigantëve kroatë, Hajdukut të Splitit dhe Dinamos së Zagrebit. Me iniciativën dhe mbështetjen e madhe të Ivan Gudelj-it, kalimi i tij në këto klube ishte pothuajse i kryer. Por, strukturat politike ndërhynë brutalisht, duke bllokuar transferimin dhe duke urdhëruar përzgjedhësit ta injoronin atë në të ardhmen.

Një tjetër emër që spikat me paraqitjet dhe vizionin e tij ishte Rabit Matoshi. Si një mesfushor ofanziv dhe organizator loje, talenti i tij e detyroi stafin e Përfaqësueses t’i dërgonte ftesën në vitin 1978, kur ai ishte vetëm 18 vjeç. Matoshi luajti përkrah vëllezërve Gjurovski, Nikolić, Capliq e Zlatanovski, duke u dëshmuar si më i miri i gjeneratës së tij.

Pasi strukturat politike e bojkotuan për ftesa të mëtejshme kombëtare, atij iu ofrua një mundësi e artë t’i bashkohej klubit të njohur FK Sarajevo, me synimin që njëkohësisht të studionte për Kulturë Fizike në kryeqytetin boshnjak. Hapja e Fakultetit të Kulturës Fizike në Prishtinë po atë vit bëri që Matoshi të zgjidhte të qëndronte në Kosovë. Ai zhvilloi karrierën e tij te C. Zvezda e Gjilanit, Prishtina, Obiliqi dhe Drita, duke kontribuar më vonë edhe si trajner.

Në sezonin 1978-79, Përfaqësuesja e juniorëve thirri një tjetër anësor të shpejtë dhe të rrezikshëm të C. Zvezdës së Gjilanit: Haqif Shkodrën. Paraqitjet e tij si alo e djathtë ishin te suksesshme saqë lanë në hije futbollistë që më vonë luajtën në nivele botërore, si Dragan Stojkoviq (Piksi), Gjukiq e Mrkela. Vetë këta lojtarë e pranuan publikisht potencialin e Shkodrës.

Ashtu si me të tjerët, ftesat drejt tij u ndërprenë papritur dhe pa asnjë shpjegim. Kur KF Prishtina, e cila garonte në Ligën e Dytë, i ofroi mundësinë të bëhej pjesë e saj, strukturat shtetërore i dërguan ftesën e detyrueshme për shërbimin ushtarak pikërisht në atë moment, duke ia shkatërruar ëndrrën futbollistike. Shkodra kreu me sukses studimet e tij dhe mbeti një ikonë lokale, duke i qëndruar besnik C. Zvezdës, Dritës dhe Gjilanit ’95.

Më 1984, mesfushori ofanziv Enver Elezi (i cili luajti për C. Zvezdën e Gjilanit dhe Rudnikun e Kishnicës) u ftua në Përfaqësuesen e juniorëve. Ai dhuroi paraqitje te sukseshme përkrah emrave si Lekoviq, Brnoviq, Nedeljkoviq e Aljosha Asanoviq, duke rikonfirmuar se Kosova ishte një djep i pashtershëm talentesh. Shkëlqimi i Elezit i bëri drejtuesit e Partizanit të Beogradit t’i ofronin menjëherë një kontratë profesionale. Ndonëse klubi beogradas ishte treguar korrekt duke e dërguar ftesën zyrtare, zyrtarët lokalë të klubit C. Zvezda dhe strukturat politike në Gjilan e mbajtën dokumentin të fshehur. Kjo ndërhyrje skandaloze ia pamundësoi atij kalimin në një prej klubeve më të mëdha të rajonit.

Populli shqiptar dhe sportistët e tij ishin në mënyrë të vazhdueshme viktima të shtypjes represive nga aparati komunist. Përkundër talentit të pakontestueshëm, i cili shpesh tejkalonte atë të yjeve të njohur evropianë, rrethanat politike i penguan këta të rinj të preknin majat që meritonin. Gjilani prodhoi ndër vite edhe dhjetëra futbollistë të tjerë cilësorë, fati i të cilëve ishte i ngjashëm: anashkalimi, izolimi dhe ndërprerja e karrierës drejt majave të futbollit. Ata mbeten kampionët e pashpallur të një epoke ku politika vendoste rezultatin jashtë fushës së lojës. /Sylejman Ismajli/kryelajmi.com/.

You Might Also Like