Pas realizimit të projektit madhor të sistemit të ndriçimit në stadiumin ndihmes te qytetit, investimet e Federatës së Futbollit të Kosovës në infrastrukturën sportive të regjionit të Gjilanit do të vazhdojnë me projekte të reja dhe të rëndësishme, të cilat përfshijnë investime në tri terrene sportive.
Njëri nga projektet kryesore parashihet vendosjen e tapetit të ri, të cilësisë më të lartë, në fushën aktuale sintetike, ku ndeshjet e tyre i zhvillojnë FC Drita dhe SC Gjilani, si dhe klubet dhe shkollat e futbollit të regjionit. Vendosja e tapetit të ri do të bëhet pas përfundimit të kampionatit, në koordinim të plotë me klubet dhe Komunën e Gjilanit.
Investim tjetër do të realizohet në lagjen Zabeli i Sahit Agës, ku do të vendoset tapet i në fushën sportive të dedikuar nga Komuna e Gjilanit për SC Gjilanin.
Po ashtu, në kampin stërvitor të FC Dritës do të vendoset tapet me bari natyral, duke krijuar kushte edhe më të mira për zhvillimin e aktiviteteve stërvitore dhe përgatitjen e futbollistëve.
Përveç këtyre tri projekteve, në planifikim janë edhe ndërtimi i disa fushave të vogla sportive në lagje dhe pranë shkollave të mëdha të regjionit. Lokacionet dhe hapësirat e përshtatshme për këto fusha do të përcaktohen në bashkëpunim me Komunën e Gjilanit.
Këto investime dëshmojnë përkushtimin e Federatës së Futbollit të Kosovës dhe bashkëpunimin institucional për përmirësimin e infrastrukturës sportive, krijimin e kushteve më të mira për klubet dhe shkollat e futbollit, si dhe avancimin e zhvillimit të futbollit në regjionin e Gjilanit.





