Sinan Sadiku
Shkrimtarët e komunës së Dardanës kanë botuar vepra me vlerë në poezi, në prozë dhe në kritikë letrare, të cilat e kanë pasuruar letërsinë shqipe. Vepra e parë letrare e botuar nga një krijues i komunës sonë është një poezi e Nazmije Kastrati – Reka, e botuar në gazetën “Flaka e vllaznimit” në vitin 1950.
Prej shkrimtarëve të komunës sonë, librin e parë e ka botuar Muharrem Shahiqi. Titullohet “Vrragë e kunorë”. Është përmbledhje me poezi, e botuar në vitin 1963. Pesë vjet më vonë, pra në vitin 1968, janë botuar librat “Xhita me yll” dhe “Shkurtabiqi zemërartë” të autorit Ali Huruglica, të cilët janë librat e parë në prozë të botuar nga një shkrimtar i komunës sonë. Vepra “Nina-nana dhe këngë e lojëra fëmijësh”, e botuar në vitin 1984 dhe e shkruar nga profesori Faik Shkodra me bashkautorë, është libri i parë në fushën e studimit të letërsisë.
Numri i shkrimtarëve nga komuna jonë, që e kanë botuar së paku nga një vepër letrare, tani ka arritur në 90. Libra me poezi kanë botuar 81 shkrimtarë, në prozë 24 dhe me kritikë letrare dhe studime të letërsisë, 11. Po t’i mbledhim këta numra, na dalin 116 shkrimtarë, por në shumicën e rasteve i njëjti shkrimtar ka botuar libra edhe në poezi, edhe në prozë e edhe në kritikë letrare. Vetëm 6 nga prozatorët dhe 3 nga kritikët letrarë nuk kanë botuar libra me poezi dhe kur këta 9 shkrimtarë ua shtojmë 81 poetëve, bëhen 90, shifër kjo, që e tregon numrin e shkrimtarëve të komunës sonë.
Me këtë numër të shkrimtarëve nuk kemi asnjë arsye të mos jemi të kënaqur. Madje, me 90 shkrimtarë, renditemi në mesin e katër-pesë komunave të para të Kosovës.
Shtrohet pyetja: ku jemi sa i përket cilësisë ose vlerave letrare të krijuara nga autorët e komunës sonë? Përgjigjja ime është: jemi mirë.
Poetët e komunës sonë kanë botuar poezi me vlera artistike, që shkojnë nga niveli mesatar deri te niveli i lartë. Në poezinë për fëmijë kanë shkëlqyer Ali Huruglica dhe Avdush Canaj, ndërsa në poezinë për të rritur Halil Matoshi ka sjellë risi, duke e krijuar një degëzim apo drejtim të ri dhe duke kontribuar në avancimin dhe begatimin e poezisë shqipe. Në këtë drejtim ka kontribuar edhe Emine Maliqi – Zairi, apo Pem’za Peso. Poezi me vlera antologjike kanë krijuar edhe Bajram Kosumi, Sabile Keçmezi – Basha, Nexhat Rexha, Ibrahim Ibishi, Muharrem Shahiqi, Hasije Selishta – Kryeziu dhe Shefik Shkodra. Sa i përket cilësisë së poezisë që kanë shkruar, dallohen edhe Hysen Këqiku, Mustafa Spahiu, Zeqir Fazliu, Sulejman Dërmaku, Raif Gashi, Gani Sadiku, Baki Krasniqi, Minivere Muja – Maka, Shpresa Ajvazi – Shehu, Bajram Kallaba, Mustafa Morina, Nebih Bunjaku, Selvije Vllasi – Kadriu etj.
Edhe prozatorët e komunës së Dardanës kanë botuar vepra me vlerë, disa prej të cilave janë afirmuar në nivel të Kosovës dhe më gjerë. Po i përmendi disa: Libri me tregime “Xhita me yll” (1968) dhe romani “Skurtabiqi zemërartë” (1968), të autorit Ali Huruglica, vite me radhë, kanë qenë lekturë e obliguar për nxënësit e shkollës fillore. Romani “Shtjella e vetmisë” (2000) i autorit Ibrahim Ibishi, është shpërblyer nga Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës me çmimin “Hivzi Sulejmani”, si vepra më e mirë e botuar në Kosovës gjatë vitit 2000. Tregimet e Halil Matoshit, të sistemuara në librin “Udhëtim nëpër ëndërr të keqe” (1994), që është një libër i përzier me poezi dhe tregime, dhe në librin me tregime “Lajmësi memec” (1996), janë vlerësuar lart nga kritikët dhe studiuesit më të njohur të letërsisë shqipe, si dhe janë shpërblyer në konkurset e ndryshme letrare. Edhe Hasan Bunjaku, autor i monografisë romanore – dokumentare për familjen e tij, “Një gjakim i pafat – Demirovitët Bunjakë desivojcas” (2023), ka krijuar një vepër me vlera të shumta dokumentare, gjuhësore dhe artistike, padyshim një ndër veprat më të mira që e kam lexuar gjatë viteve të fundit. Bajram Kosumi i ka botuar dy vepra në prozë të cilat i ka cilësuar postromane. Ato janë: “Enciklopedia imagjinare” (2023) dhe “Epoka e konsujve dhe paradigma të tjera” (2026). Të dyja këtyre veprave u është dhënë publicitet i madh. “Enciklopedia imagjinare” është promovuar pothuajse në të gjitha hapësirat shqiptare dhe për të kanë folur e shkruar fjalë të mira disa nga kritikët dhe studiuesit më të njohur të letërsisë shqipe.
Prej 11 autorëve që kanë botuar libra me kritikë letrare dhe studime të letërsisë, 5 janë doktorë të shkencës së letërsisë, madje Profesor doktor. Secili prej tyre ka dhënë kontribut të rëndësishëm në një ose më shumë tema, përkatësisht fusha të studimit të letërsisë shqipe, duke bërë kërkime shkencore, përmes të cilave ka sjellë njohuri të reja të cilat e kanë pasuruar studimin e letërsisë shqipe. Faik Shkodra ka dhënë kontribut të rëndësishëm në studimin e letërsisë popullore dhe të ndikimeve të saj në letërsinë e shkruar, si dhe në studimet e letërsisë për fëmijë; Hysen Matoshi, në studimet krahasimtare të poezisë së Lasgush Pradecit, duke shkruar për përkimet e saj me poezinë evropiane, përkatësisht për praninë e poetikave parnasiste, simboliste dhe ekspresioniste në krijimtarinë e tij dhe për analogjitë midis krijimtarisë poetike të këtij poeti të madh shqiptar dhe poezisë së Emineskut, si dhe në studimin e stilit, të pranishëm në poezinë shqipe të shkruar ndërmjet dy luftërave botërore; Liman Matoshi, në studimin e poezisë atdhetare shqipe; Femi Cakolli, në studimin e strukturave, miteve, kodeve, personazheve dhe motiveve biblike, të pranishme në letërsinë shqipe, dhe ka ofruar një analizë të thelluar teorike dhe tekstuale të mënyrës se si shkrimet e shenjta janë integruar, rifunksionalizuar dhe transformuar në letërsinë bashkëkohore shqipe të Kosovës; Bajram Kosumi ka argumentuar se lirika e Fishtës, në aspektin artistik, është në nivel të epikës së tij; në studimin krahasimtar të marrëdhënieve ndërmjet krijimtarisë letrare të Fishtës me letërsinë tonë të traditës dhe, mbase, kontributi i tij më i rëndësishëm është studimi i letërsisë nga burgu, ku ka argumentuar veçantitë dhe vlerat e asaj letërsie, e cila e ka pasuruar letërsinë shqipe.
Edhe kritikët tjerë letrarë me punimet dhe librat e tyre, secili në mënyrën e vet, kanë kontribuar në begatimin e jetës letrare në komunë, regjion dhe më gjerë. Një pjesë të mirë të punimeve i kanë shkruar me rastin e redaktimit të librave, si recensione për librat e përgatitur për botim, i kanë lexuar me rastin e përurimit të veprave letrare ose në manifestime letrare të organizuara për shkrimtarë të veçantë dhe të ngjashme. Ato punime të publikuara si pasthënie ose parathënie e librave, të lexuara në manifestime, të botuara nëpër revista etj., janë lexuar, e kanë nxitur interesimin për letërsinë, kanë hapur debate dhe kështu e kanë begatuar jetën letrare.





