Gjilan, 28 nëntor 2026 – Kuvendi i Komunës së Gjilanit, nën udhëheqjen e Krenare Latifi-Kqikut, kryesuese, me rastin e 114-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, ka mbajtur sot seancë solemne, në ngjarjen ku mori pjesë edhe kryetari i Komunës, Alban Hyseni, nënkryetari Arianit Sadiku, sikurse edhe përfaqësues nga shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së, përfaqësues të FSK-së, Policisë së Kosovës, KBI, familjarë të dëshmorëve e përfaqësues të tjerë institucionalë.
Kryesuesja Krenare Latifi-Kqiku tha se ‘jemi mbledhur sot për të shënuar një nga datat më të rëndësishme të historisë sonë kombëtare, ditën e flamurit dhe 114 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë’.
“28 Nëntori është një nga datat më të rëndëishme kombëtare, është dita sublimimit të aspiratave dhe përpjekjeve shekullore të popullit tonë për sakrificën për liri”, ka thënë ndër të tjera znj. Latifi-Kqiku.
Kryetari i Komunës, Alban Hyseni, është shprehur se ‘28 nëntori është njëra prej ditëve më të ndritura të historisë sonë kombëtare, ku u bënë kthesat më të mëdha historike, duke i lidhur 28 nëntorin e viti 1943 me heroin tonë kombëtar Skenderbeun, dhe ngritjen e flamurit në Krujë, 28 nëntorin e vitit 1912, me shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë nga Ismail Qemajli, dhe burra të shquar të kombit, duke e kthyer në realitet aspiratën për krijmin e shtetit shqiptar’.
‘Ndërkaq, 28 nëntori lidhet edhe me ditëlindjen e Komandantit legjendar të UÇK-së -Adem Jashari, si dhe me 28 nëntorin e vitit 1997, me rastin e daljes publike të UÇK-së.’
“Kjo është dita që bartë në vete kuptimin më të thellë të lirisë, krenarisë, unitetit dhe dinjitetit kombëtar, me sakrificën e brezave të tërë për lirinë e fituar më gjak”, është shprehur ndër të tjera, Kryetari Hyseni.
Në seancë solemne, kanë adresuar mesazhet e tyre edhe përfaqësuesit e partive politike në Kuvendin e Komunës, përkatësisht Shpend Nuhiu (VV), Sami Ahmeti (LDK), Bujar Nevzadi (PDK) dhe Nazim Gagica (AAK).
Përndryshe, nën përkujdesjen e kryetarit Alban Hyseni, Komuna e Gjilanit për sot, ka paraparë edhe aktivitete të tjera, si homazhe tek varrezat e dëshmorëve, në kujtim të rënies heroike të dëshmorëve dhe sakrificës së tyre për lirinë e vendit tone, inaugurimin e stemës monumentale të UÇK-së, tek Kazerma e FSK-së, ekspozita personale e piktorit Qamil Llapashtica,mbajtur në Galerinë e Arteve, për ta përmbyllur me koncertin festiv të A.K.V.-‘Gjilani’, në Teatrin e Qytetit.




