SPORTI

Salla e Partizanit” që prodhoi sportistë te dallur

“Salla e Partizanit” që prodhoi sportistë te dallur

Para 71 viteve më parë, në një kohë me kushte të vështira ekonomike dhe shoqërore, qyteti i Gjilanit arriti t’u siguronte të rinjve të vet një objekt të mbyllur sportiv që u shndërrua në djepin e kampionëve. Sot, në vitin 2026, ky qytet me traditë të pasur sportive po përballet me një paradoks të dhimbshëm prej afro 2 vitesh sportistët kanë mbetur pa palestër, teksa rinovimi i saj po zvarritet me hapa tejet të ngadaltë, duke çuar në shuarjen e klubeve dhe ndërprerjen e ëndrrave të qindra të rinjve.

Në këtë vakum infrastrukturor që ka paralizuar një pjesë të madhe të jetës sportive në komunë, kujtesa e qytetarëve dhe e veteranëve të sportit kthehet pashmangshmërisht pas në kohë te legjendarja “Salla e Partizanit”, objekti modest që për më shumë se dy dekada mbajti gjallë frymën sportive të Gjilanit.

Historia e kësaj ndërtese pasqyron transformimet e mëdha shoqërore dhe politike të shekullit të kaluar. Objekti bazë ishte ndërtuar para Luftës së Dytë Botërore, në vitin 1938, për nevojat e administratës së Mbretërisë së atëhershme (Kralevinës). Pas përfundimit të luftës, në fillim të viteve 1950, pushteti i atëhershëm komunist vendosi ta zgjerojë godinën, duke i shtuar një hapësirë në formë salle me dimensione rreth 20 me 12 metra. Fillimisht, kjo pjesë nuk kishte lidhje me sportin; ajo shërbeu si njësi prodhimi (pogon) për thurjen e qilimave dhe tepihëve.

Megjithatë, fati i saj ndryshoi në fund të vitit 1955. Me mbylljen e punëtorisë së qilimave, autoritetet e kohës morën vendimin që këtë hapësirë ta shndërronin në sallë për zhvillimin e sportit dhe aktiviteteve rinore. Kështu lindi “Salla e Partizanit”, një emër që shumë shpejt do të bëhej sinonim i pasionit, disiplinës dhe suksesit për të gjithë rininë e komunës së Gjilanit.

Ndonëse me dimensione modeste sipas standardeve të sotme, për rrethanat e asaj kohe “Salla e Partizanit” ishte një pasuri e vërtetë për qytetin. Ajo u shndërrua në shtëpinë e përbashkët të pothuajse të gjitha disiplinave sportive. Brenda mureve të saj kryenin përgatitjet klubet e futbollit, basketbollit, hendbollit, boksit, xhudos, karatesë dhe sporteve të tjera.

Rëndësia e saj bëhej edhe më e madhe gjatë stinës së dimrit, kur temperaturat e ulëta dhe reshjet e pamundësonin stërvitjen në terrene të hapura. Për sportistët, ajo ishte e vetmja strehë ku mund të ruanin formën fizike dhe vazhdimësinë e garave.

Por salla nuk u shërbente vetëm klubeve. Gjatë muajve të ftohtë, aty zhvillonin orët e edukatës fizike edhe nxënësit e Shkollës Fillore “Musa Zajmi” edhe pse shkolla gjendej rreth 500 metra larg, udhëtimi në këmbë nëpër të ftohtë nuk i pengonte nxënësit, përkundrazi, hyrja në sallë dhe zhvillimi i aktiviteteve sportive brenda saj pritej me entuziazëm të madh, perveq tyre shume here Palestren e shfrytzonin nxenesit e Shkolles FilloreVuk Karagjiq – tani “Thimi Mitko”,

Nga ky objekt dolën shumë emra të njohur të sportit, të cilët më vonë bënë karrierë të suksesshme në klube të ndryshme, duke e ngritur lart emrin e Gjilanit. “Salla e Partizanit” e përmbushi misionin e saj historik me nder deri në fund të vitit 1979. Atë vit, sporti gjilanas hyri në një epokë të re me ndërtimin e Palestrës së Sporteve një objekt madhështor për kohën, i cili menjëherë fitoi jehonë ndërkombëtare duke mirëpritur Kampionatin Botëror të Hendbollit për të reja.

Për të kuptuar peshën e vërtetë që kishte kjo sallë në edukimin dhe formimin e brezave të rinj, mjafton të dëgjosh rrëfimin e njërit prej protagonistëve të asaj kohe. Ekrem Veseli, sot 90 vjeç, ish-arsimtar i kulturës fizike dhe ish-trajner i basketbollit, i ruan të freskëta kujtimet e punës së tij brenda atij objekti.

“Ishim të rinj, punoja si arsimtar i edukatës fizike në Shkollën Fillore ‘Vuk Karagjiq’, tani ‘Thimi Mitko’. Ishte një kohë kur rinia shqiptare po evoluonte me shkollim e me sport. Kushtet ishin të mjerueshme, por vullneti ishte i madh dhe orët i mbanim ashtu siç mundeshim. Në këtë sallë kam ushtruar shumë sportistë të hendbollit, të basketbollit, por edhe të sporteve të tjera. Salla ishte e vogël, por në sezonin e dimrit të gjithë ushtronin aty dhe ishte një shpëtim i vërtetë për shumë sportistë. Nga kjo sallë kemi prodhuar shumë talentë, të cilët më vonë kanë bërë emër kudo që janë paraqitur”, kujton me nostalgji Veseli.

Rrëfimi i Ekrem Veselit dhe historia e “Sallës së Partizanit” tingëllojnë sot si një pasqyrë e rëndë për gjendjen aktuale të infrastrukturës sportive në Gjilan. Ndërsa shtatë dekada më parë, në kushte minimale, qyteti diti të improvizonte dhe të krijonte një hapësirë ku të rinjtë të mos e ndërprisnin aktivitetin e tyre, sot po ndodh e kundërta.

Prej afro dy vitesh, sportistët e Gjilanit janë të privuar nga Palestra e Sporteve, e cila ndodhet në një proces rinovimi që po ecën me hapa të breshkës. Kjo zvarritje e tejzgjatur nuk është thjesht një problem teknik apo burokratik, por një goditje e drejtpërdrejtë për të ardhmen e sportit në qytet. Në mungesë të një objekti ku të stërviten dhe të zhvillojnë ndeshjet, disa klube sportive janë detyruar të shuhen plotësisht, ndërsa një gjeneratë e tërë sportistësh të rinj po sheh ëndrrat e saj të ndërpriten në mes, duke pritur ende ditën kur dyert e palestrës do të hapen sërish. Sylejman Ismajli. /kryelajmi.com/.

You Might Also Like