Këtyre ditëve, opinini gjilanas dhe më gjerë, u njoftua për nisjen e përgatitjeve për organizimin e Manifestimit Kombëtar të Kulturës, “Flaka e Janarit”, nisma dhe selia e të cilit, ishte dhe mbeti Gjilani.
Mirë, boll !
Thënë të drejtën, përgatitjet ( nëse nuk mbesin vetëm si fragment i një konference shtypi), po nisin pak më herët se herave tjera e, kjo është për t’u përshëndetur.
Dhe, përshëndetja ime, shoqërohet me disa propozime që mund t’i ndihmojnë këtij Manifestimi, ndër më të veçantit në trevat e Ballkanit.
E para, “Flaka e Janarit” është Manifestim Kombëtar i Kulturës që nderon përmes vlerave të artit ( dhe vetëm përmes vlerave) martirët, dëshmorët dhe heronjtë e kombit. Nuk është Manifestim shumëkulturor ( e as multikulturor ) , sepse në të dhe brenda tij, prej fillimit e këndej janë paraqitur vetëm vlerat e kulturës shqiptare të artit pamor, skenik, letrar e muzikor. Jo edhe të kulturave të tjera apo të popujve të tjerë.
Pra, kësaj çështje duhet vënë PIKË , njëherë e përgjithmonë.
Nëse në të ardhmen ( gjë që nuk e besoj e as dëshiroj ) pjesë e saj bëhen edhe kulturat e pakicave kombëtare që jetojnë, veprojnë e krijojnë në Kosovë, atëherë, po … mund të thuhet ” Manifestim shumëkulturor ” por, kjo e shtrembëron në thelb qëllimin dhe përkushtimin e “Flakës…” që u shpreh nga viti jo dhe aq i largët ( 1992 ) e këndej.
E dyta, Manifestimi i sivjem i “Flakës…” duhet t’i përkushtohet njërës prej figurave më të dinjitetshme të historisë së Gjilanit e të krahinës së Anamoravës, MULLA IDRIZ GJILANIT, në 70 vjetorin e djegies makabre të Tij nga argatët dhe urdfhër dhënësit e shërbimit më famëkeq që prodhoi ish Jugosllavia titiste – OZNËS, e cila do të duhej të rrumbullakësohet me ngritjen e Shtatores së tij, diku në pjesën qendrore të Gjilanit dhe, për këtë Komuna Ime duhet të tregohet e gatshme,serioze dhe këmbëngulëse që nga i pari i saj e deri të secili prej nesh.
E treta, vëmendje kryesore dhe preokupim i vetëm duhet të jetë rritja e cilësisë së përmbajtjes së këtij Manifestimi, meqë e kemi pas thënë qysh sa ishim nën pushtimin serb: më të shtrenjtit e kombit që u flijuan nëpër kohë për atdhe, do të nderohen vetëm me vlera të mirëfillta të artit e, këtë duhet ta përzgjedh dhe ta paraqes para publikut gjilanas e atij kombëtar, Këshilli Drejtues i këtij Manifestimi, përmes Grupeve të saja profesionale.
E katërta, meqë i përmenda Grupet Profesionale, Gjilani duhet të tregohet se është gjiithëpërfshirëse edhe me kuadrot nga fushat kryesore të artit, të cilat e përcollën këtë Manifestim, që nga fillimi. Pra, angazhimi i njerëzve të denjë të këtyre fushave, nga Prishtina, Tirana e Shkupi si dhe trevat tjera shqiptare, nëpër Grupe Punuese Profesionale, sepse nëpër Juri të ndryshme veç kanë qenë, duke e bërë edhe me këtë mënyrë, njëmend manifestim kombëtar, sepse, e meriton këtë “Flaka e Janarit”.
E pesta, e që kujtoj se është mjaftë qenësore: Zgjedhja zyrtare e emblemës së Manifestimit apo logos siç e quajnë pa të drejtë disa, e që përfaqëson katër shtyllat kryesore të “Flakës…”, kuptohet, përmes një konkursi publik, një jurie kredibile të artit si dhe miratimit në fund nga Kuvendi i Komunës së Gjilanit, në mënyrë që të përmbylet loja me Emblemën e këtij Manifestimi, sepse, kështu si e kemi bërë, nuk na ka hije ta bëjmë edhe mëtutje, e aq më pak, kur kemi të bëjmë me identitetion dhe përfaqësimin e këtij Manifestimi.
Besoj se, përveç nivelit komunal e në këto kondita, do të ndihmojë edhe më shumë se vitin e kaluar niveli qendror, meqë dihet botërisht: “Flaka e Janarit” ndodh në Gjilan por, e përfaqëson krejt Kosovën dhe, shqiptarinë ….
(Nga Rraja e Çepurit, 14 tetor 2018)