Prononcim i Blerta Shalës:

Sot ka ardhur momenti t’i jap fund një prej kapitujve më të bukur dhe më të rëndësishëm të jetës sime: karrierës sime si futbolliste profesioniste.
Gjithçka filloi kur isha vetëm 13 vjeçe, një vajzë e vogël me një ëndërr të madhe. Asokohe nuk e dija se sa shumë do të më dhuronte futbolli dhe se një ditë do të kisha mundësinë ta jetoja ëndrrën time.
Sot, pas shumë vitesh në fushën e futbollit, e shikoj këtë rrugëtim me krenari dhe mirënjohje për gjithçka që kam arritur.
Kam pasur nderin të luaj si mesfushore, të përfaqësoj klube të ndryshme dhe mbi të gjitha të mbaj fanellën e Kombëtares së Kosovës. Një privilegj dhe krenari që do të mbetet gjithmonë ndër momentet më të veçanta të karrierës sime.
Gjatë këtij rrugëtimi kam pasur fatin të fitoj tituj kampionë, të përjetoj shumë suksese dhe të përfaqësoj futbollin e Kosovës edhe në arenën ndërkombëtare.
Një ndër kapitujt më të veçantë ishte UEFA Women’s Champions League, ku pata mundësinë të jem pjesë e një historie të bukur me KFF Mitrovicën. Kualifikimi në raundin tjetër, me një gol dhe dy asistime në këtë rrugëtim, do të mbetet gjithmonë një nga arritjet më të veçanta për mua.
Faleminderit familjes sime, trajnerëve, bashkëlojtareve dhe të gjithë atyre që kanë qenë pjesë e kësaj historie.
Por falënderimi më i veçantë, nga zemra, i takon KFF Mitrovica

Një klub që për mua nuk ka qenë thjesht një ekip futbolli, por një pjesë e madhe e jetës, historisë dhe karrierës sime.
Faleminderit për besimin, mundësitë, përkrahjen dhe të gjitha momentet e paharrueshme. Faleminderit për mundësinë që të jem pjesë e sukseseve, titujve kampionë dhe historisë që kemi shkruar së bashku, duke përfaqësuar klubin dhe Kosovën edhe përtej kufijve tanë.
Do të jem gjithmonë krenare që kam pasur mundësinë ta vesh fanellën e Mitrovicës, të luftoj për këto ngjyra dhe të jem pjesë e kësaj familjeje sportive.
Një falënderim i veçantë dhe personal për presidentin Hajrullah Haxhiu Ju falënderoj sinqerisht për besimin, përkrahjen dhe gjithçka që keni bërë për klubin dhe për mua. E vlerësoj jashtëzakonisht shumë mundësinë që më është dhënë të jem pjesë e këtij rrugëtimi. Respektin dhe mirënjohjen për ju dhe për klubin do t’i ruaj gjithmonë.
Nuk dua që ky të jetë thjesht një falënderim për një klub ku kam luajtur, por për një vend ku kam lënë një pjesë të madhe të jetës sime.
Sot po e mbyll këtë kapitull me krenari për gjithçka që kam arritur, për fanellat që kam veshur dhe për çdo moment që më ka dhuruar ky sport.




