Prend BUZHALA
NIJAZI RAMADANI, FJALA E TIJ E SHKRUAR
(Homazh për autorin dhe veprat e tij në njëvjetorin e kalimit në amshim)
Kur kthehemi te librat e Nijazi Ramadanit, hyjmë në një hapësirë ku koha ka lënë gjurmët e veta. Faqet na afrojnë me një njeri që e kërkoi veten përmes shkrimit, por edhe me një botë që pret të lexohet, të kuptohet e të kujtohet. Libri bëhet prani. Një zë që vjen nga faqet. Një bisedë që vazhdon përtej kohës së autorit.
Në veprat e tij zbulojmë një shumësi formash shprehëse: poezi, prozë, dramë, kritikë, histori dhe dokumentim. Shtigje të ndryshme të një udhëtimi krijues, të bashkuara nga një shqetësim i përbashkët: njeriu, vendi, koha dhe historia. Ai hyn në mesin e atyre njerëzve që jetën e tyre e shndërrojnë në dëshmi, duke e krijua r shtegtimin e vet intelektual përmes fjalës, librit, mendimit kritik dhe kërkimit historik. Në secilën prej këtyre fushave la gjurmë të një përkushtimi që buronte nga dashuria për letërsinë, kulturën dhe atdheun. E sidomos Për Gjilanin dhe Kokajt.
Sot, kur e kujtojmë, kthehemi te veprat e tij me nderim.
- POEZIA
Në tri veprat e tij poetike “Dheshkronjë arbri”(Jeta e Re, Prishtinë, 1995), “Imazhe kohe”, botoi “Rrjedha”, 2008, Gjilan) dhe “Thjerrëz”, “Rrjedha”, 2019), ai e strukturon fjalën e tij krijuese në një marrëdhënie të ngushtë ndërmjet tokës, historisë dhe fjalës; te libri i parë; te vëllimi “Therrëz”, mund të themi se njësoj i jep vend si poetikës, ashtu edhe mesazhit. Për deri sa te poetika ai përzgjedh thënien e dendur artistikisht e funksionale estetikisht, ter hapësira e mesazhit ai spikat kohët në përballje dhe vlerat e atdhesisë, njësoj si ato të dashurisë dhe refleksioneve mbi realitetet personale e ato nacionale që i jetuam e përjetuam. Ndërkaq, te libri i tretë „Imazhe kohe” (2008), është nocioni poetik i kohës që na e sugjeron një vështrim retrospektiv mbi përvojën, ndryshimet dhe gjurmët që lë jeta në vetëdijen e njeriut.
Në poezinë e Ramadanit ndalemi te marrëdhënia e fjalës me tokën. Titulli Dheshkronjë Arbëri na zgjon një mendim të veçantë. Toka dhe shkrimi. Vendlindja bëhet shenjë, ndërsa shenja merr frymë nga historia. Në këtë poezi, krijuesi nuk qëndron përballë historisë si vëzhgues i jashtëm. Ai është pjesë e saj, bartës i plagëve, i kujtimeve dhe i përvojave që kanë ndërtuar vetëdijen e bashkësisë.
Vargjet:
na e mbyllën gojën
na mbajtën për gjuhe
të frenuar mbetëm
nga poezia Pas orës së ndalur, e shprehin drejtpërdrejt dramën e fjalës së kufizuar. Por poezia nuk mbetet në gjendjen e heshtjes. Ajo vazhdon:
liruam fjalën
çfrenuam vargun
jeta sapo filloi
pas orës së ndalur.
Në veprën poetike “Imazhe kohe”, çastet dhe kujtimet marrin jetë të re përmes vargut. Në librin tjetër “Thjerrëz”, vështrimi përqendrohet te hollësitë e realitetit, aty ku një imazh i vogël mban brenda një botë të tërë. Kur e lexojmë këtë poezi, ndiejmë kërkimin e kuptimeve që fshihen nën sipërfaqen e pamjes së parë. Pas figurës gjendet kujtimi, nga kujtimi lind përvoja, ndërsa përvoja zgjon një ndjenjë që kërkon gjuhën e vet. Vargu bëhet hapësirë ku përjetimi individual takohet me kujtesën e përbashkët. Poezi të tilla si „Pas orës së ndalur”, „Ne dheu”, „Zjarr i pashuar”, „Gaca”, „Dilema”, „Kurbetçar i nemur” dhe „Vdekja e babait” dëshmojnë se bota poetike e autorit lëviz ndërmjet përvojës individuale dhe asaj kolektive. Në disa prej tyre, fjala e penguar dhe koha e ndërprerë bëhen simbole të një gjendjeje historike; në të tjera, dheu, zjarri, malli dhe vdekja marrin kuptime që kapërcejnë përvojën personale. Veçanërisht te „Pas orës së ndalur”, lirimi i fjalës lidhet me rifillimin e jetës. Kështu, poezia shndërrohet në një akt qëndrese kundër heshtjes. Ndërsa në „Imazhe kohe” (2008), vetë nocioni i kohës sugjeron një vështrim retrospektiv mbi përvojën, ndryshimet dhe gjurmët që lë jeta në vetëdijen e njeriut. Në këtë poezi ka një prirje të dukshme për ta lidhur fatin individual me fatin historik. Mirëpo, vlera e saj nuk qëndron vetëm te mesazhi atdhetar. Ajo shfaqet sidomos atëherë kur përvoja arrin të përpunohet në figurë, simbol dhe emocion poetik. Në disa raste, mesazhi del më drejtpërdrejt dhe vargu i afrohet deklarimit; në raste të tjera, si te poezitë që trajtojnë kujtesën familjare, humbjen dhe ndërprerjen e kohës, krijohet një hapësirë më e madhe për nëntekst dhe përjetim estetik. Kjo lëvizje ndërmjet dëshmisë dhe figuracionit është një nga veçoritë që e përcaktojnë poezinë e tij.
- ROMANI DHE DRAMA
Nga dendësia e vargut, krijimtaria e Nijazi Ramadanit kalon drejt hapësirës së rrëfimit dhe të veprimit dramatik. Këtu fjala e tij e shkruar përfton personazhe, situata, konflikte dhe marrëdhënie njerëzore. Përvoja poetike zgjerohet në përvojë narrative. Kujtesa merr trajtën e ngjarjes. Historia hyn në jetën e personazheve.
Në romanet e tij, te Imazhi i ngrirë dhe Azgani, bota merr trajta të tjera. Njeriu gjendet përballë rrethanave, personazhet bartin përvojat e tyre, ndërsa e kaluara hyn në jetën e së tashmes. Përmes rrëfimit, historia fiton fytyrë njerëzore. Një fat individual na e zbulon një përvojë të tërë kolektive. Romani “Imazhi i ngrirë” është një nyje e rëndësishme e këtij kërkimi. Kjo prozë përmban një tension sa metaforik aq edhe dramatik. Imazhi artikulon pamjen, mbamendjen dhe rikrijimin e realitetit. Ngrirja sugjeron ndalimin e një çasti, fiksimin e një përvoje, ruajtjen e një gjendjeje në ndërgjegje. Kështu, imazhi shndërrohet në metaforë të kohës së përjetuar.
Në prozën e tij, rrëfimi shërben si shteg i interpretimit të realitetit. Personazhi bëhet shënjues i përvojës individuale dhe kolektive. Fati i tij lidhet me rrethanat shoqërore, me kujtesën dhe me ndryshimet historike. Në këtë marrëdhënie, individi shfaqet si qenie e kohës së vet. Ai përjeton, kujton, vepron dhe përballet me dilemat që i sjell jeta.
Edhe proza “Rrëfimi për Azganin” sugjeron një orientim drejt figurës njerëzore dhe fatit të saj. Rrëfimi këtu merr kuptimin e një dëshmie. Një jetë bëhet objekt i kujtesës dhe i interpretimit. Personazhi shndërrohet në bartës të një përvoje që kërkon të dëgjohet e të kuptohet.
Vëllimi me drama Azgani & Ylber(i)ja e çon fjalën në hapësirën e skenësAty fjala merr frymë përmes dialogut dhe veprimit skenik. Personazhi zbulohet përmes ballafaqimit me tjetrin, ndërsa heshtja merr pjesë në kuptimin e veprës. Teatri e shndërron fjalën në prani të gjallë përpara shikuesit. Një përmasë e veçantë e kësaj krijimtarie, shfaqet në dramaturgji. Drama “Azgani & Ylber(i)ja” e zhvendos fjalën drejt skenës, drejt dialogut dhe veprimit. Këtu , te këto dy drama, teksti kërkon zërin e aktorit. Personazhi fiton gjallëri dh mishërohet në skenë. Hapësira skenike bëhet vend i takimit ndërmjet përvojës individuale dhe vështrimit të publikut. Teatri përfaqëson një art të shumëfishtë. Fjala, gjesti, zëri, lëvizja, drita dhe hapësira krijojnë një tërësi shprehëse. Në këtë tërësi, dramaturgu ndërton një botë ku marrëdhëniet njerëzore marrin formë të dukshme. Çdo dialog bart një përplasje mendimesh. Çdo heshtje mund të shndërrohet në shenjë. Çdo veprim zbulon një shtresë të karakterit njerëzor. Dialogu shndërrohet në trajtë të zbulimit të botës së brendshme. Azgani kërkon njohjen e përkatësisë së tij; Ylber(i)ja kërkon njohjen e individualitetit dhe të vetëpërcaktimit. Të dyja situatat lidhen me një çështje themelore: dinjitetin e njeriut.
Në këtë mënyrë, dramaturgjia e Ramadanit nuk mbetet vetëm në temat historike e kombëtare. Ajo depërton edhe në marrëdhëniet familjare, shoqërore dhe psikologjike.
Kështu, proza dhe drama krijojnë dy forma të afërta të interpretimit të jetës. Romani e zgjeron rrëfimin në kohë dhe hapësirë. Drama e përqendron përvojën në konflikt dhe dialog. Të dyja kërkojnë thelbin njerëzor të ngjarjes. Të dyja e vendosin individin përballë rrethanave të kohës së vet.
Janë katër libra të tjerë që paraqesin një tjetër horizont të rëndësishëm të veprimtarisë së Nijazi Ramadanit: janë kritika letrare, studimet teatrore dhe vrojtimet artistike. Krijuesi merr rolin e interpretuesit. Vëmendja drejtohet nga vepra e tjetrit, nga strukturat e saj, nga marrëdhëniet estetike dhe nga vendi i saj në jetën kulturore.
- KRITIKA LETRARE DHE AJO TEATRORE
Në librat “Vrojtime artistike” (2006), “Vështrime letrare” (2013), “Një qasje në teatër” (2004), dhe “Qasje tjetër për skenën” (2006), shpaloset një interesim i vazhdueshëm për dukuritë artistike dhe për mënyrat e komunikimit të veprës me lexuesin e spektatorin.
Kritika letrare përfaqëson një formë të veçantë të leximit. Ajo kërkon depërtim në strukturën e tekstit, në organizimin e figurave, në marrëdhënien ndërmjet formës dhe përmbajtjes. Ajo e vendos veprën në një kontekst më të gjerë kulturor dhe estetik.
Interesimi i Ramadanit për letërsinë dhe teatrin shfaqet edhe në studimet kritike: Një qasje në teatër, Vrojtime artistike dhe Qasje tjetër për skenën. Në këto vepra e takojmë autorin në rolin e interpretuesit. Ai i afrohet veprës, shqyrton ndërtimin e saj dhe kërkon kuptimet që fshihen pas formës artistike. Kështu, kritika bëhet dialog ndërmjet krijuesit, veprës dhe lexuesit. Teati i Gjilanit ka fatin e mirë që ta ketë emrin e Nijaziut si vlerësues e kronikan i gjallë i jetës skenike.
Leximi kritik kërkon vëmendje të shumëfishtë. Një vepër shfaqet përmes gjuhës, por kuptimi i saj zgjerohet përmes simbolikës, përvojës dhe marrëdhënies me traditën. Kritiku përpiqet të zbulojë mënyrën se si funksionon teksti, si ndërtohet bota e tij dhe çfarë horizontesh interpretimi hap për lexuesin.
Libri Vrojtime artistike bart edhe një domethënie metodologjike. Vrojtimi kërkon përqendrim. Kërkon aftësi për ta parë veprën nga disa këndvështrime. Kërkon ndjeshmëri ndaj hollësive estetike dhe ndaj strukturave të brendshme të tekstit.
Ndërkaq, studimet për teatrin dëshmojnë një interesim të veçantë për natyrën e artit skenik. Teatri përfaqëson një ndërthurje të arteve. Teksti dramatik takohet me trupin e aktorit. Fjala bashkohet me gjestin. Drita dhe hapësira krijojnë atmosferën. Publiku bëhet pjesë e përvojës estetike.
Në këtë rrafsh, skena shfaqet si një pasqyrë e shoqërisë. Aty përqendrohen marrëdhëniet njerëzore. Aty marrin formë dilemat e kohës. Aty arti fiton mundësinë e komunikimit të drejtpërdrejtë me ndërgjegjen e publikut.
Përkushtimi ndaj kritikës dhe teatrit plotëson kështu profilin e Ramadanit si intelektual shumëplanësh. Ai lëviz ndërmjet dy pozicioneve: krijuesit dhe interpretuesit. Në njërin rast ndërton botën e vet artistike. Në tjetrin hyn në botën e veprave të autorëve të tjerë, duke kërkuar vlerat, strukturat dhe domethëniet e tyre.
Ky kalim nga krijimi te interpretimi përfaqëson një marrëdhënie të frytshme ndërmjet përvojës estetike dhe vetëdijes kritike. Shkrimtari e njeh procesin e krijimit nga brenda. Kritiku e vështron veprën nga perspektiva e analizës. Të dyja përvojat bashkohen në një kulturë të leximit dhe të mendimit.
- VEPRAT DOKUMENTARE, PUBLICISTIKE DHE DISKURSIVE
Në krijimtarinë e Nijazi Ramadanit, veprat dokumentare, sidomos atol rreth historisë, përfaqësojnë një fushë të veçantë të angazhimit intelektual. Ajo ka të bëjë me të kaluarën e mjedisit ku ai jeto e veproi, me fatin e njerëzve dhe me nevojën për dokumentimin e përvojave kolektive.
Dy vëllimet e projektit “Shtegtim në histori”, kushtuar Kokajve dhe Gjilanit gjatë viteve 1941–1951, dëshmojnë përkushtimin ndaj hulumtimit të së kaluarës. Këtu vëmendja drejtohet nga dokumenti, kujtesa familjare, dëshmia dhe gjurmët e një kohe historike.
Historia merr kuptimin e një udhëtimi nëpër shtresat e kujtesës. Secili dokument ruan një gjurmë. Çdo dëshmi sjell një fragment të përvojës. Çdo emër rikthen një pjesë të jetës së dikurshme. Hulumtuesi përpiqet t’i lidhë këto fragmente në një tërësi kuptimore.
Në këtë proces, vendlindja shndërrohet në hapësirë të kujtesës kolektive. Fshati, qyteti, familja dhe bashkësia përbëjnë një mozaik të përvojave historike. Historia merr fytyra njerëzore. Ajo afrohet përmes jetëve konkrete, përmes dëshmive dhe përmes fateve të brezave.
Edhe libri “Kosova dhe vetëvendosja” (1998), i botuar në kohë dramatike e tragjike, e radhit autorin në një rrafsh tjetër të reflektimit historik e politik. Çështja e Kosovës trajtohet nëpërmjet nocioneve të lirisë, të drejtës kolektive dhe të vetëvendosjes. Publicistika plekset me vetëdijen qytetare. Fjala funksionon si medium i mendimit kritik dhe i qëndrimit intelektual.
Kështu, hulumtimi historik dhe publicistika plotësojnë dy dimensione të së njëjtës përgjegjësi. I pari ruan dëshminë. E dyta shpreh qëndrimin ndaj çështjeve të kohës. Të dyja e vendosin autorin në marrëdhënie të drejtpërdrejtë me historinë dhe me jetën e bashkësisë.
Të dëshmosh të kaluarën do të thotë t’i japësh asaj vend në kujtesën e së ardhmes. Dokumenti bëhet urë ndërmjet brezave. Libri bëhet një formë e ruajtjes së përvojës. Shkrimi bëhet përgjegjësi ndaj atyre që vijnë.
Dokumentimin e historisë vendore e shohim si një akt të rëndësishëm të ruajtjes së kujtesës kolektive. Ai i nxjerr në dritë fatet njerëzore, i vendos ngjarjet në rrethanat e tyre dhe i mbron gjurmët e së kaluarës nga harresa. Në këtë rrafsh, libri Kosova dhe vetëvendosja (1998) na afron me një kohë qëndrese e shqetësimesh të mëdha, kur fjala publike bartte peshë të veçantë. Çështja e Kosovës kërkonte argument, qëndrim dhe vetëdije historike. Shkrimi bëhej pjesë e debatit për fatin e vendit dhe përgjegjësisë qytetare. Ai e zgjeron profilin e autorit përtej kufijve të letërsisë artistike, duke dëshmuar se interesimi i tij për historinë dhe shoqërinë ka edhe një dimension analitik e publicistik. Kjo prirje shfaqet edhe në shkrimet për teatrin, ekspozitat, librat dhe zhvillimet kulturore. Në të gjitha këto fusha, autori kërkon të krijojë një lidhje ndërmjet veprës dhe kontekstit në të cilin ajo lind e merr kuptim.
Edhe angazhimi i tij botues, përmes Shtëpisë Botuese e revistës Rrjedha, si dhe revistës Ushtima e maleve, i përket kësaj përpjekjeje për ta mbajtur gjallë jetën kulturore. Botimi krijon ura ndërmjet autorëve dhe lexuesve. Ai u jep hapësirë dorëshkrimeve, ideve dhe zërave të rinj. Kështu, fjala e shkruar bëhet edhe shërbim ndaj kulturës dhe brezave të krijuesve.
- 2. NJERIU, LIRIA, IDENTITETI DHE TJETRI
E, pra, secili libër i tij përbën një takim me një pjesë të jetës sonë kulturore e historike.
Nijazi Ramadani mbetet pjesë e trashëgimisë sonë përmes asaj që shkroi, hulumtoi dhe botoi. Tashmë vepra nis një jetë tjetër: jetën e leximeve, të interpretimeve dhe të kujtesës.
Kur kthehemi te librat e Nijazi Ramadanit, hyjmë në një hapësirë ku koha ka lënë shumë gjurmë. Faqet e tyre na afrojnë me një njeri që e kërkoi veten përmes shkrimit, por edhe me një botë që pret të lexohet, të kuptohet e të kujtohet. Në këtë takim, libri merr një domethënie më të thellë. Bëhet prani. Një zë që vjen nga faqet. Një bisedë që vazhdon përtej kohës së autorit.
Duke i parë së bashku këto lloje krijimtarie, mund të vërehet se Nijazi Ramadani është një autor me profil shumëzhanror, por jo të shpërndarë. Poezia, proza, drama, kritika dhe publicistika bashkohen nga disa shqetësime të përhershme: kujtesa, identiteti, liria, toka, historia dhe dinjiteti njerëzor. Ndryshon forma e shprehjes, por jo domosdoshmërisht pyetja themelore që e shtyn autorin të shkruajë. Në poezi, kjo pyetje bëhet figurë dhe emocion; në prozë, bëhet rrëfim dhe kujtesë; në dramë, bëhet konflikt; në kritikë, bëhet interpretim; ndërsa në trajtesat historike merr formën e dokumentimit dhe të argumentit.
Nëpër veprat e tij zbulojmë një shumësi interesimesh dhe formash shprehëse. Poezia, proza, drama, kritika, historia dhe dokumentimi. Shtigje të ndryshme të një udhëtimi krijues. Secila me gjuhën, ritmin dhe përgjegjësinë e vet. Megjithatë, pas tyre ndiejmë një shqetësim të përbashkët: njeriun, vendin, kohën dhe kujtesën.
Kur i shohim këto drejtime së bashku, kuptojmë se rëndësia e veprimtarisë së Ramadanit qëndron edhe në lidhjen e tyre të brendshme. Në poezi ndiejmë kujtesën, në prozë dhe dramë fatin njerëzor, në kritikë kërkimin e kuptimit, ndërsa në histori përgjegjësinë ndaj dëshmisë. Përtej dallimeve gjinore, na bashkon bindja se fjala e shkruar e ruan gjurmën e njeriut në kohë.
Nijazi Ramadani u nda nga jeta më 22 nëntor 2025. Ky fakt e bën kthimin te veprat e tij edhe më domethënës. Faqet marrin një jehonë tjetër. Vargu bëhet zë i një pranie të munguar. Studimi merr kuptimin e një amaneti për të ardhmen. Dokumenti ruan dëshminë e atyre që koha i ka larguar nga prania jonë.
Kjo shumësi krijuese dëshmon një koncept të gjerë të kulturës. Letërsia përfaqëson një trajtë të njohjes së njeriut. Teatri bëhet hapësirë e komunikimit shoqëror. Historia shndërrohet në kujtesë të dokumentuar. Të gjitha këto fusha lidhen përmes një boshti të përbashkët: fjalës si formë e ndërgjegjes.
Një rëndësi të veçantë në këtë veprimtari zë edhe angazhimi botues. Shtëpia Botuese Rrjedha dhe revista Ushtima e maleve përfaqësojnë hapësira të komunikimit kulturor. Ato lidhen me përpjekjen për ta mbajtur gjallë qarkullimin e librit, mendimit dhe krijimtarisë.
Botimi përfaqëson një hallkë të rëndësishme ndërmjet autorit dhe lexuesit. Libri merr jetë në momentin e takimit me tjetrin. Ai bëhet pjesë e një dialogu më të gjerë kulturor. Në këtë dialog, krijuesit, studiuesit, redaktorët dhe lexuesit ndërtojnë një hapësirë të përbashkët të komunikimit.
Kështu, veprimtaria e Ramadanit shtrihet përtej kufijve të një gjinie të vetme. Ajo përfshin krijimin, interpretimin, hulumtimin dhe komunikimin kulturor. Një angazhim i tillë kërkon përkushtim të vazhdueshëm dhe një vetëdije të gjerë për rolin e fjalës në jetën e shoqërisë.
Në tërësinë e kësaj vepre, shkrimtari shfaqet si një udhëtar nëpër disa territore të së njëjtës botë. Herë ndalet te vargu. Herë hyn në rrjedhën e rrëfimit. Herë e dëgjon dialogun skenik. Herë tjetër përkulet mbi dokumentin historik. Në secilin prej këtyre udhëtimeve, fjala merr një funksion të veçantë.
Dhe pikërisht këtu qëndron domethënia e titullit Fjala e tij e shkruar. Fjala përfaqëson më shumë se njësi gjuhësore. Ajo bart përvojë, mendim, ndjeshmëri dhe kujtesë. Ajo e ruan gjurmën e krijuesit në hapësirën e kulturës.
Përtej temave historike e kombëtare, krijimtaria e Ramadanit përmban një shtresë reflektimi mbi gjendjen nacionale e njerëzore.
Në poezinë Mua e ty Adam, figura biblike e Adamit bëhet simbol i vëllazërisë së hershme njerëzore dhe njëkohësisht pasqyrë e tjetërsimit bashkëkohor. Njeriu i sotëm, megjithëse i përket së njëjtës familje njerëzore, është i gjymtuar nga historia, konfliktet dhe ndarjet.
Në këtë aspekt, krijimtaria e tij exohet përmes konceptit të tjetërsimit dhe të marrëdhënies me tjetrin. Njeriu kundrohet i shkëputur nga tjetri, nga bashkësia dhe nga përgjegjësia e tij morale.
Po kështu, drama A zgani & Ylber(i)ja e zgjeron idenë e lirisë, duke e lidhur atë jo vetëm me përkatësinë kolektive, por edhe me të drejtën individuale për vetëpërcaktim.
Këto tema krijojnë një horizont më universal të veprës. Përvoja shqiptare, e cila është një nga burimet kryesore të frymëzimit të autorit, nuk mbetet e mbyllur në kufijtë e një përvoje të veçantë historike. Ajo shndërrohet në çështje për dinjitetin, drejtësinë, lirinë, kujtesën dhe marrëdhëniet ndërmjet njerëzve.
Kjo është një nga pikat ku krijimtaria e Ramadanit fiton mundësi komunikimi përtej kontekstit të vet fillestar historik.
Një çështje thelbësore në përcaktimin e profilit krijues të Nijazi Ramadanit është marrëdhënia ndërmjet angazhimit shoqëror dhe autonomisë estetike. I burgosur që në rini për shkak të botimit të revistës “Ushtima e maleve”, më vonë, në shumë prej veprave të tij, letërsia lidhet drejtpërdrejt me historinë, identitetin, lirinë dhe përjetimet. Ky angazhim i jep krijimtarisë një bosht të dallueshëm etik dhe kulturor.
Mirëpo, letërsia nuk mund të matet vetëm me rëndësinë e temës që trajton. Ajo duhet të vlerësohet edhe nga procedimi artistik se si tema shndërrohet në formë, imazh, ritëm, personazh, konflikt dhe strukturë artistike.
Në poezinë e tij, ky shndërrim arrihet shpesh përmes simbolit dhe përqendrimit të shprehjes. Në prozë, përmes ndërtimit të botës historike dhe të kujtesës kolektive. Në dramë, përmes ballafaqimit të personazhit me konfliktet e lirisë dhe të dinjitetit.
Në disa raste, megjithatë, mesazhi historik apo ideor mund të dalë më shumë në plan të parë sesa përpunimi estetik. Ky tension është pjesë e debatit që duhet ta shoqërojë çdo rivlerësim serioz të veprës.
Por pikërisht këtu qëndron edhe rëndësia e leximit kritik: të dallohen arritjet, të evidentohen kufizimet dhe të përcaktohen mundësitë e zhvillimit të mëtejshëm të poetikës së autorit.
Fjala e shkruar është një mënyrë e veçantë e pranisë së njeriut në kohë. Përmes saj, njeriu jo vetëm shpreh mendimet, ndjenjat dhe përvojat e veta, por edhe i ruan ato nga kalimi i pakthyeshëm i kohës. Shkrimi është mbamendje, dëshmi, komunikim dhe, në një kuptim më të thellë, përpjekje për t’i dhënë vazhdimësi asaj që jeta e përditshme e bën të përkohshme. Në këtë hapësirë të fjalës së shkruar mund të vendoset krijimtaria e Nijazi Ramadanit, e cila shtrihet në disa fusha letrare e kulturore dhe dëshmon një marrëdhënie të vazhdueshme me historinë, vendlindjen, identitetin, njeriun dhe fatin e bashkësisë.
Kur i afrohemi kësaj krijimtarie si një tërësi, vërejmë se fjala e Ramadanit nuk është e mbyllur brenda një zhanri të vetëm. Ajo merr trajtën e vargut poetik, të rrëfimit romanor, të dialogut dramatik, të interpretimit kritik, të shkrimit publicistik dhe të dëshmisë dokumentare. Këto forma nuk qëndrojnë të shkëputura nga njëra-tjetra. Përkundrazi, ato komunikojnë përmes disa shqetësimeve themelore që përsëriten, ndryshojnë dhe marrin kuptime të reja nga një vepër në tjetrën.
Prandaj, për ta kuptuar fjalën e shkruar të Nijazi Ramadanit, nuk mjafton të renditen librat e tij sipas zhanreve. Duhet të kërkohet edhe ajo që i lidh: një vetëdije krijuese që e sheh shkrimin si mënyrë të ruajtjes së kujtesës, të interpretimit të përvojës dhe të mbrojtjes së dinjitetit njerëzor.
Homazhin ndaj një autori e shprehim përmes rikthimit te vepra, përmes leximit dhe vlerësimit të saj. Librat e Ramadanit kërkojnë lexime të mëtejshme, shqyrtime dhe vendin e merituar në kujtesën tonë letrare e historike.
Fjala e tij është shkruar në shumë forma. Por, përtej formave, ne dëgjojmë një shqetësim të përbashkët: dëshirën për ta ruajtur gjurmën e njeriut, të vendit dhe të kohës. Kjo është trashëgimia që na mbetet. Një trashëgimi e ruajtur në vargje, rrëfime, studime dhe dokumente.
Kur kthehemi te këto faqe, gjejmë jo vetëm shkrimin e një autori, por edhe një pjesë të kohës sonë. Dhe e kuptojmë se libri e ruan atë që jeta ia beson kohës: zërin e njeriut, gjurmën e mendimit dhe kujtesën e një epoke.
(Nëntor 2026)




