Gjilan

Takim pune i Drejtorit Rajonal të Policisë në Gjilan me Drejtorin e Spitalit të Përgjithshëm të Gjilanit

Gjilan, 25 nëntor 2026

Drejtori i Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjilan, Nënkolonel Luan Keka së bashku me staf ka pritur në takim Drejtorin e Spitalit të Përgjithshëm në Gjilan Dr.Afrim Cana dhe stafin e tij.

Gjatë këtij takimi të dy drejtorët diskutuan për avancimin e koordinimit ndërinstitucional me qëllim të rritjes së sigurisë dhe efikasitetit gjatë reagimit në raste emergjente, me theks të veçantë shkëmbimit të shpejtë të informatave dhe komunikimit të drejtpërdrejtë ndërmjet zyrtarëve policorë dhe ekipeve mjekësore për të garantuar ndërhyrje sa më të shpejtë në terren kur është e nevojshme.

Me këtë rast, Nënkolonel Keka shprehu mirënjohjen e tij për Dr.Cana dhe stafin e Spitalit Rajonal të Gjilanit për mbështetjen e vazhdueshme, veçanërisht në realizimin e kontrolleve sistematike për personelin policor dhe ekzaminimet mjekësore të kandidatëve gjatë proceseve të rekrutimit.

Drejtorët theksuan ngritjen e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe aktiviteteve të përbashkëta të cilat do të jenë në funksion të mbrojtjes së jetës së qytetarëve dhe mbështetjes së ndërsjellë për stafin shëndetësor dhe atë policor.

Në shenjë mirënjohje për bashkëpunimin ndërinstitucional Dr.Cana ndau mirënjohje për Drejtorin e Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjilan Nënkolonel Luan Keka.

You Might Also Like