Libri

EMNA QË MË FLASIN (Pogragjës)

Bujar Salihu

EMNA QË MË FLASIN
(Pogragjës)

Në Pogragjë mundesh me ardhë n’kamë,
mundesh me hy edhe me anije druni.
veç rueju zogjve, peshqve e drenushave.

Kush pin ni herë ujë n’Pogragjë
s’e harron ma,
as ujin,
as udhën.

N’Fushë t’Basilegut
Morava t’pret tu qeshë,
e lejlekët kalojnë
me Gurin e Shybes n’shpinë

Prej Çukës së Vogël
deri n’Rrasë t’Guvenit,
ngjitesh fmi
e kthehesh burrë.

N‘Guri Plak
n’Lug t’Lajthisë
vjeshta vjen si në Ograja
me do riga shiu prej Kodërgatit

Po e pe Skrepin,
mos shko me fjetë
ta merr andrra gjumin.

Këtu s’piqen veç
qershitë e shartume t’Mehmet Agës,
as kumbullat e krasituna t’Sali Hores

Pylla rri përballë Kalasë
si roja ma besnike
kurmit të gjallë të Fatos Limanit

S’ka sy,
veç rrânjë
S’ka gojë,
veç zogj

N’Mal t’Kaprojve
drenushat flenë
me pazmore drite,
e dalin prej mjegullës
si zojat e shpisë n‘Saz

Prej Mrizit mos u lsho
kah Vorri i Çobanit;
aty bari rritet
si mërzia e madhe
e Sherafadinit
n‘peisazhin e çafkave.

Kroni i Bugarit
Kurrë nuk ka shterrë
gjithmonë e kanë ruejt
dy mullinka.

Në Fushat Llake a në fushë të Liles
Gjithmon ke me ni Fyllin e Memishit t’Vocës

Në Guri t‘Tamlit
Thithin gji Arat Puk

N’Llapushnicë
uji zbardhet prej stërkalave.
Po dole n’Qafë t’Kalasë,
mos kqyr përpjetë
t’i merr sytë Rrasa e Lipovicës

Tumën e gjenë zgjuar ditë e natë
ajo e ruejt katundin prej furfullimave.

Te Prroni i Kregzave
uji i mbledh gojdhanat
e i derdhë në Pod

Sojkat flenë n’Fundija,
zojtë i qelin n`Vnesht

Kujtesa e Shpatit të Keq
e çan dheun e fjetun.
Si permenda n‘dhe

N’Limajë
era e mpreh namin

Mixha Balë e Mixha Canë
korrin grunin n‘ Seleshta
pinë ujë e i lajnë sytë n’Lug të Arrave
E i thirrin n‘andërr
Vanin e Grahecave,
Lugin e Shkozës, Skurrinin edhe Trajat

Pogragja çohet ngadalë,
si arushë e murrme e Dupillës,
i shkund shekujt prej supeve
e na thotë:

Po, unë jam ajo e moçmja,
ajo e lashta
ajo që s’u harrue.

Me gur,
me ujë,
me rrânjë,
e kam shkrue
emnin tem n’këtë dhe.

You Might Also Like