Shkruan: Zerina Ismajli, nxënëse
Në Gjimnazin e Shkencave Natyrore “Xhavit Ahmeti” në Gjilan, nxënësit e klasës XI zhvilluan një orë praktike në lëndën e kimisë, nën udhëheqjen e profesorit Dr. Sc. Islam Zuzaku, ku në fokus ishin eksperimentet e oksidim-reduktimit.

Gjatë kësaj ore realizuam disa eksperimente kimike, përmes të cilave patëm mundësi të shohim nga afër se si zhvillohen reaksionet dhe çfarë ndryshimesh ndodhin gjatë tyre. Në veçanti, u përqendruam te proceset e oksidimit dhe reduktimit, të cilat janë pjesë e rëndësishme e shumë reaksioneve kimike.

Përveç realizimit të eksperimenteve, gjatë gjithë aktivitetit mbajtëm shënime për secilin proces, duke regjistruar vëzhgimet dhe rezultatet që arritëm të dallonim. Kjo na ndihmoi që ta kuptonim më mirë materialin e zhvilluar në mësim dhe ta lidhim atë me atë që po shihnim në praktikë.

Përmes kësaj përvoje kuptuam se oksidimi dhe reduktimi janë dy procese që zhvillohen njëkohësisht gjatë reaksioneve redoks. Gjithashtu, patëm mundësi të kuptojmë më qartë rolin e transferimit të elektroneve dhe rëndësinë e këtyre proceseve në kiminë e përgjithshme.
8
Orët e tilla praktike e bëjnë mësimin më interesant dhe më të lehtë për t’u kuptuar. Kur kemi mundësi t’i shohim vetë proceset që mësojmë në libër, njohuritë bëhen më të qarta dhe mbahen mend më lehtë.
Ky aktivitet ishte një mundësi e mirë për të zgjeruar njohuritë tona, për të zhvilluar aftësitë e vëzhgimit dhe për të kuptuar rëndësinë e eksperimenteve në studimin e kimisë.
Përvoja të tilla dëshmojnë se shkenca nuk përvetësohet vetëm përmes teorisë, por edhe përmes punës praktike, ku çdo eksperiment sjell një mundësi të re për të mësuar dhe zbuluar.




