Gjilan, 17 janar 2019 – Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, në bashkëpunim me Kompaninë Regjionale të Ujit “Hidromorava”, kanë bërë sot zyrtarizimin e Njësitit për implementimin e projektit për ndërtimin e Impiantit për trajtimin e ujërave të zeza dhe kolektorëve, i cili që do të financohet nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, me seli në Londër, i cili ka kosto prej 30 milionë euro.
“Impianti për trajtimin e ujërave të zeza është projekti më i nevojshëm dhe më i madh urban i komunës tonë, që përfshinë qytetin dhe të gjitha fshatrat, jo vetëm të kufijve tanë, por të gjithë ata që janë në rrjedhën e infrastrukturës nëntokësore që kanë impakt në ujërat e zeza të kësaj rrjedhe. Studimi i fizibilitetit dhe studimi socio-ekonomik tashmë ka përfunduar, ndërsa financimin e këtij projekti do ta realizojë BERZH, mjetet financiare për të cilin i janë dhënë Qeverisë, por është grant për Komunën e Gjilanit”, ka thënë kryetari Haziri.
Ai, gjithashtu, ka potencuar se tani e tutje bartës të projektit do të jenë anëtarët profesional të Njësisë së zgjedhur për implementim dhe dinamika e realizimit të projektit do të varet nga puna dhe përkushtimi i kësaj trupe.
Haziri ka garantuar se Komuna e Gjilanit, KRU “Hidromorava” dhe Njësia implementuese do të bëjnë implementimin strikt të projektit në bazë të ligjit dhe dinamikës në bashkëpunim të ngushtë edhe me qeverinë dhe me BERZh-in.
“Do të jemi së bashku kujdestar të fuqishëm të implementimit të projektit, sepse ky qytet, i cili daton për mbi 500 vjet, po i vije një projekt i cili do të jap një zgjidhje përfundimtare për ndotësit më të mëdhenj siç janë ujërat e zeza”, ka thënë, mes tjerash, kryetari Haziri
Kurse, nga ana e tij Muhamet Suliqi, drejtor i KRU “Hidromorava”, ka falënderuar kryetarin Haziri për kontributin e tij që ky projekt të vije në Gjilan, duke theksuar se ky është projekti më i madh dhe shumë i rëndësishëm për Gjilanin dhe të ardhmen e qytetarëve të vet.
“Investimi i projektit është i përbërë nga dy komponenta, e para ka të bëjë me ndërtimin e Impiantit dhe e dyta me kolektorët. Sipas studimit të fizibilitetit, ndërtimi i Impiantit do të bëhet në afërsi të fshatit Uglarë, në një hapësirë prej 8 hektarëve, që në fazën e parë deri në vititn 2032 do të përfshihen 76 mijë banorë dhe faza e dytë deri në vitin 2040 do të përfshijë 114 mijë banorë. Kurse, ndërtimi i kolektorëve parasheh pos tjerash edhe shtrirjen e rrjetit të ujërave të zeza në një gjatësi rreth 38 kilometrave dhe planifikohet që brenda 5 viteve të finalizohen këto punime”, ka thënë mes tjerash drejtori Suliqi.