Gjilan, 26 shkurt / Shpresa Kurteshi-Emini, kryesuese e Kuvendit Komunal ka mbajtur sot një takim pune me kryesuesit e Komiteteve, ku është diskutuar për planet e punës së këtij viti, aktivitetet, bashkëpunimin si dhe çështje të tjera që janë në përgjegjësi të këtyre trupave.
Kryesuesit e komiteteve, në këtë takim me kryesuesen e Kuvendit, kanë paraqitur idetë, të arritura dhe sfidat e tyre.
Kurteshi–Emini e ka vlerësuar punën dhe angazhimin e komiteteve, për të shqyrtuar dhe rekomanduar për Kuvend çështje të rëndësishme, sikurse edhe angazhimin e secilit anëtar veç e veç, të cilët janë treguar bashkëpunues në punë, pavarësisht se përfaqësojnë subjekte të ndryshme politike.
Përndryshe, Shpresa Kurteshi-Emini, ka thënë se komitetet si trupa ndihmës, bëjnë punë të rëndësishme në kuadër agjendës së aktiviteteve të Kuvendit Komunal, sipas obligimeve dhe përgjegjësive që ka secili prej tyre në fushat përkatëse.
Komitetet janë trupa të rëndësishme të Kuvendit Komunal, të cilat e ndihmojnë vendimmarrjen komunale, duke shqyrtuar e rekomanduar kërkesa të ndryshme, të cilat adresohen nga drejtoritë, grupet e qytetarëve, shoqëria civile dhe individë të caktuar, ka thënë Kurteshi-Emini.
Kuvendi i Komunës i ka themeluar 13 komitete: Komitetin për Politikë e Financa, Komitetin për Komunitete, Komitetin për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Komitetin për Arsim, Komitetin për Zhvillim Ekonomik dhe Agrokulturë, Komitetin për Planifikim Urban dhe Mbrojtje të Mjedisit, Komitetin për Shërbime Publike, Banim, Mbrojtje dhe Shpëtim, Komitetin për Kulturë, Rini dhe Sport, Komitetin për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë, Komitetin për Bashkëpunim Ndërkufitar,
Komitetin për Barazi Gjinore, Komitetin Konsultativ i Ekspertëve të Planifikimit Hapësinor dhe Komitetin Konsultativ për Personat me Aftësi të Kufizuar.