SC Gjilani ka shënuar fitoren më bindëse në këtë kampionat edhe atë pas shkarkimit të kryetrajnerit Debatik Curri.
Gjilani ka patur një epërsie në fushë, ka sulmuar më tepër e ka bërë trysni drejt portës së Drenicës, kurse pas kësaj trysnie, në minutën 18, Yll Ibrahimi ka shpërthyer nga e majta, ka harkuar në brendi, por njëri nga mbrojtësit e Drenicës luajti me dorë, e gjyqtari pa u hamendur tregoi në pikën e bardhë.
Armend Thaqi, mori hov dhe kur e pa se portieri i Drenicës, Arijon Ymeri u hodh në të majtë, gjuajti në mes të portës dhe solli ekipin e tij në epërsi prej 1:0, që ishte edhe rezultat i pjesës së parë.
Në minutën 47, pas një shërbimi nga thellësia, Zeka ishte i vetmuar me Ymerin, por portieri i Drenicës me një intervenim bravuroz shpëtoi gol të sigurt, derisa në gjuajtjen e dytë qëlloi shtyllën e jashtme.
Në minutën 48, pas një ndërhyrje të Boshnjakut në sulmuesin e Drenicës gjyqtari dha penalti. Përgjegjësinë për të gjuajtur e mori Limani, por ai gjuajti mbi portë.
Në minutën 65, pas një kundërsulmi të shpejtë të Gjilanit, Oltion Bilalli shpërtheu nga e djathta dhe në anën e kunërt gjeti Mevlan Zekën e vetmuar, i cili nuk e pati të vështirë të shënojë në portën e zbraztë.
Gjilani që sot luajti shumë mirë edhe në minutën 85 organizoi një kundërsulm të shpejtë, kur Bllaca shpërtheu nga e majta dhe parabolloi portierin Ymeri, kurse kur topi po shkonte drejt rrjetës në të vrapoi Mevlan Zeka sa për ta ngulitur në rrjetë për rezultatin 3:0. /kryelajmi.com/.




