Gjilan

Haziri: Vizita e ministrit Zemaj, dr. Naser Ramadanit e Dr. Valbon Krasniqi, është solidaritet dhe mbështetje për Gjilanin

Gjilan, 20 korrik 2020 – Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka pritur sot në takim pune ministrin e Shëndetësisë, Armend Zemaj, drejtorin e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, Naser Ramadani dhe drejtorin e ShSKUK, dr Valbon Krasniqi.

Haziri, vizitën e sotme të eksponentëve të lartë të shëndetësisë, e ka vlerësuar si mbështetje të madhe për Gjilanin.

“Në ditët e vështira që i kemi kaluar bashkë, kemi qenë në koordinim të vazhdueshëm me Ministrinë e Shëndetësisë. Vizita e ministrit Zemaj, dr. Naser Ramadanit dhe dr. Valbon Krasniqit, nuk është vizitë kurtuazi, por është solidaritet për Gjilanin. Prandaj, i falënderoj shumë. Kjo është një mbështetje e madhe për komunën tonë”, ka thënë Haziri.

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, e ka vlerësuar lartë punën e Komitetit të Gjilanit, duke thënë se po bëjnë punë të madhe në menaxhimin e situatës me pandeminë në këtë komunë.

Në këtë takim, drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, Naser Ramadani, ka kumtuar rezultatet e 24 orëve të fundit sa i përket COVID-19, ndërkaq drejtori i ShSKUK, dr. Valbon Krasniqi, ka treguar për situatën rreth spitaleve, të hospitalizuarve në QKUK dhe të Spitaleve të Përgjithshme Rajonale.

Ramadani ka njoftuar për 13 raste të reja pozitive me COVID-19 në Gjilan, por të shëruar 22 raste.

Ndërkaq, dr. Valbon Krasniqi, ka konfirmuar se Spitalit të Përgjithshëm të Gjilanit i janë dorëzuar dy respiratorë, të cilët do t’i ndihmojnë pacientëve për oksigjenoterapi.

Përndryshe, gjatë vizitës së kaluar të ministrit Zemaj, Gjilani pati përfituar një autoambulancë modern për trajtimin e pacientëve në Spitalin e Përgjithshëm.

You Might Also Like