Klubi i Futbollit Drita ka siguruar pjesëmarrjen në garat evropiane, gjegjësisht pjesëmarrjen në kualifikimet për Europa League, kurse për t’u shpallur kampione duhet të pres së paku edhe 3-4 ditë. Fitorja ndaj Drenicës, e ka sjellë në pozitë shumë të mirë ekipin gjilaanas, kurse një barazim ndërmjet Gjilanit dhe Ballkanit në mënyrë automatike do t’a shpallte Dritën kampione.
Në një lojë të qetë me Drenicën, Drita ka ngadhënjyer me rezultat të ngushtë 1:0, me golin e vetëm që është arritur në pjesëlojën e dytë.
Në një ndeshje pa shumë raste, momenti vendimtar ishte në minutën 48, kur pas një shpërthimi të Ajzerajt nga e majta, ky lojtar harkoi në brendi në anën e kundërt ku u gjet Xhevdet Shabani, të cilit nuk i mbeti gjë tjetër veçse të fus topin në rrjetë.
Më pas Drita pati edhe një rast të mirë nëpërmjet Betim Haxhimusës por topi në vend të rrjetës qëlloi shtyllën.
Në ndeshjen e ardhshme që mund të jetë vendimtare për titull, Drita si mysafire në Suharekë do të luaj kundër Ballkanit.