Qyteti i Gjilanit gjithmonë ka dhënë boksierë të shquar, të cilët kanë lënë gjurmë të pashlyeshme jo vetëm në boksin kosovar e evropian, por edhe në atë botëror. Qindra medalje nga turne e kampionate anekënd botës janë sjellë në Gjilan, në kohën e gjeneratës së artë të boksierëve.
Ky sport sa atraktiv aq edhe bujar, dikur mblidhte mijëra adhurues në palestrën e sporteve, por gjatë periudhës së paraluftës dhe pasluftës sikur ky sport u zbeh, për t’u ringritur tashti kur edhe boksi kosovar u pranua në arenën ndërkombëtare.
Në Gjilan, sporti i boksit po merr hov dhe shumë shpejt këtij sporti do t’i kthehet nami i dikurshëm.
Në Palestrën e Sporteve “Bashkim Selishta – Petriti” në Gjilan, të mbledhur në Klubin e Boksit Drita, për çdo ditë dhjeta boksierë, të udhëhequr nga trajnerët Nazim Halili dhe Musli Zymberi, ushtrojnë e punojnë me zell. Ata janë kryesisht boksier të rinj, të cilët nga çdo turne kosovar sjellin medalje të arta, kurse boksieri i ri 15- vjeçar, Erdonis Maliqi, ishte përfaqësues i kombëtares së Kosovës, i cili ka marrë pjesë në Kampionatin Evropian për të Rinj në Hungari. Ai është fitues i shumë medaljeve ndërkombëtare. Pastaj, mjafton të përmendet emri i Violant Sylejmanit, i cili tashmë ka bërë emër në boksin evropian dhe është shpallë sportisti më i mirë i qytetit. Ai ishte pjesëmarrës i rregullt në Turneun “Adem Jashari”, ku për të tretën herë u stolis me medalje të artë, si dhe në “Gongun e Artë” në Shkup, ku mori medaljen e argjendtë. Ai ishte edhe pjesëmarrës në turnetë më të forta evropiane.
Trajnerët Nazim Halili dhe Musli Zymberi, theksojnë se talente si këta dy boksierë ka në Gjilan, mirëpo duhet një përkrahje më e madhe instuticionale për ta, që së paku t’u ndahet nga ndonjë bursë, apo edhe ndonjë formë tjetër e ndihmës financiare, ngase është dëshmuar se Kosova e me këtë edhe Gjilani, më shpejt mund të vije te sukseset nëpërmjet sporteve individuale, siç është edhe boksi.
“Te ne po punohet shumë, me përkushtim të madh, kurse edhe boksierit nuk po kursejnë mund e djersë përkundër temperaturave tani të ulëta që mbretërojnë në palestër. Ne nuk do të ndalemi, ngase na presin në vitin e ardhshëm turne ndërkombëtare evropiane e botërore, ku do të jemi pjesëmarrës me këta dy boksierë”, thekson Halili.
Halili nuk lë pa veçuar edhe emrat e boksierëve Albin Sejdiu, Leotrim Rexhepi, Blend Kqiku dhe boksierë të tjerë nga të cilët pritet në të ardhmen.
Përkundër vështirësive materiale që përballet klubi, ka njerëz dhe dashamirë të boksit, të cilët i kanë dalë në ndihmë si c është rasti me “Vali Ranch”, pronari i së cilës e ka pajisur këtë klub me veshje sportive.
Boksi është sport që po vjen, Gjilanit po i kthehet nami i dikurshëm, ku salla buçiste kur bolsonin boksierët gjilanas.