Muzikë

Me Festivalin e Muzikës Popullore “Fest Flaka” , u mbyll “Flaka e Janarit 2021”

Në natën përmbyllëse, Lutfi Haziri, kryetar i Komunës së Gjilanit, ka thënë se edhe sivjet “Flaka e Janarit”, ka sjellë vlerat më të mira në të gjitha shtyllat, duke shtuar ky manifestim, si trashëgimi kulturore e shpirtërore është përfshirë në listën kombëtare të Republikës së Kosovës.

“Këtë vit, “Flakën e Janarit” ia kemi kushtuar Kadri Zekës, i pari ndër ne që në vitet e tetëdhjeta u kryengrit për të na treguar si fitohet liria dhe u ndal vrulli e aktiviteti i tij së bashku me vëllezërit Gërvalla. Kadri Zeka do të kthehet në vendlindje në Gjilan në bronz, në qershor të këtij viti në Ditët e Çlirimit dhe ditët e bardha të lirisë. Ai mbetet figurë e ndriçuar e historisë”, ka thënë Lutfi Haziri, sikurse edhe heronjtë e tjerë, që nga Gjergj Kastrioti e deri te dëshmori më i ri Reshat Ymeri, i cili ra në fund të viteve të tetëdhjeta, por edhe të atyre që ranë në luftën e fundit që nga e bija e Idriz Seferit, që ishte më e moshuara e deri te fëmija dyjavësh, i vrarë në duart e babait të vet.

“Secili nga ta ishte themeltar në gurin e lirisë dhe pavarësisë, të cilën ne duhet ta ruajmë e ta kultivojmë, duke ndërtuar unitet e respekt për ata që kanë lënë trashëgimi”, tha Lutfi Haziri, kryetar i Gjilanit.

Gjilani e Anamorava do t’i respektojë ata që kontribuuan për këtë Republikë. Sipas Hazirit, manifestimi i 30-të ishte ideuar krejt ndryshe, por në kohë pandemie u desh që të ndryshojë.

Ndryshe, “Flaka e Janarit” në mënyrën më sublime ka nderuar dëshmorët për sakrificën e tyre nëpërmjet vlerave kulturore, duke dëshmuar se Gjilani dhe “Flaka e Janarit” janë qendër

kulturore e shqiptarëve në këtë muaj dhe se ky qytet identifikohet pikërisht me këtë manifestim.

“Fest Flaka” ku janë prezantuar këngëtarë nga të gjitha trevat shqiptare, nuk ka pasur karakter garues. Fillimisht para publikut është paraqitur Mirvete Bajrami – Haziri, që ishte fituesja e parë e “Fest Flakës” me këngën “Monolog i nënave të vëllezërve Gervalla dhe të Kadri Zekës”. Më pas u paraqit Sokol Latifi me këngën “Zëri i atdheut” që ishte kënga fituese e vitit 2019, derisa këndoi edhe Lumturije Shabani – “Mashallah bukurisë sate”, fituese e vitit të kaluar.

Aurela Krasniqi, që ishte fituese e Festivalit “Kosovarja këndon” u paraqit me këngën “Pranvera filloi me ardhë”, Shkurte Fejza këndoi hitin e saj “Mora fjalë”, Ashik Miftari u paraqit me këngën “T’u iu ngjit Bunës përpjetë”.

Orkestra Profesioniste e Gjilanit ishte nën dirigjimin e Florentina Rushitit dhe me orkestrimin e Burhan Azizit, kurse më pas pasoi me këngën e Arijanit Hoxhës – “Qu dëshirush me të pa ty”, Majlinda Cikaqi – “Kuq e zi”, Muhamet Sejdiu – “Këngë e rrallë”.

Në grupin punues të “Fest Flaka” ishin Murat Ismajli, Bekim Rexhepaj e Nehat Ferati, skenografia Bekim Korça, DJ Albani me zërim e ndriçim, Besim Baftiu, mjeshtër toni, gardëroba Menakon dhe grimi Studio Tringa Pajaziti.

Më pas u paraqitën Liridon Sadriu – “Po i vjen era kajranfilit”, Elona Sadiku – “S’pata fat të jem me ty”, Shkëlzen Jetishi – Xeni – “Dhe Parisin me ma fal, me Gjakovën nuk e ndërroj”, Lumturije Shabani – “Gandi i Ballkanit” dhe Grupi i Këngëtarëve të AKV Gjilani – “Moj Shqipëri djep i lirisë”. Këngët ishin të orkestruara nga Burhan Azizi.

Me mirënjohje post mortum janë nderuar Selaman Vokshi dhe Xhevat Ismajli, familjarëve të të cilëve mirënjohjet ua ndau Lutfi Haziri, kurse me mirënjohje u nderuan edhe këngëtarët, disa nga akterët që kontribuuan në rritën e “Fest Flaka”, kurse mirënjohje të veçantë mori Izet Kallaba, i cili pati një dedikim për “Fest Flakën” nga SHBA-të. Organizatori ka nderuar me mirënjohje edhe Shkollën e Muzikës – Gjilan dhe AKV Gjilanin, të cilat i pranuan Kushtrim Jakupi, drejtor dhe Nehat Ferati, udhëheqës i AKV Gjilani.

You Might Also Like