Drita dhe Gjilani janë përballur në kryendeshjen e kësaj jave, në të cilën më të mirë ishin lojtarët e Dritës, që përpos që e fituan kryendeshjen e madhe e rikthyen edhe kreun e tabelës.
Gjilani shumë dobët e ka nisur këtë ndeshje, në të cilën është pritur që ata të kenë më shumë raste, por që sot atyre asgjë nuk u shkoi për dore, derisa lojtarët e Dritës ditën të shfrytëzojnë dy gabime të mbrojtjes gjilanase dhe me plotë meritë morën trepikëshin e radhës.
Goli i parë për Dritën erdhi në minutën 11, kur pas një shpërthimi nga e majta topi u harkua në brendi të zonës së Gjilanit, e kroati Fustar, duke dashur të evitoj rrezikun e ktheu topin në portë të vet, duke e mashtruar edhe portierin Koliqi, kurse Hamdi Namani vetëm e shtyu topin në portën e zbraztë.
U mendua se Gjilani do të këndellet pas golit të pranuar, por një gjë e tillë nuk ndodhi. Për të qenë edhe më keq Gjilani pranoi edhe golin e dytë në minutën 38, kur mbrojtësi Ardian Limani kaloi edhe portierin Koliqi dhe e futi topin në portën e zbraztë.
Në pjësëlojën e dytë Drita ka dominuar ndeshjen, ka patur disa raste të mira shënimi, kurse Gjilani mundohej me topa të gjatë e të padobishëm të rrezikojë më tepër. Ishte portieri i Gjilanit Enea Koliqi, që disa herë shpëtoi gol të sigurt, kurse Gjilani pati vetëm një gjuajtje në portë edhe atë në kohën shtesë kur Çyrbja gjuajti nga largësia e topi u përplas për shtylle. Në fund rezultati mbeti i pandryshuar Drita – Gjilani 2:0.