Zhongleri i njohur kosovar i topit të futbollit, Agim Agushi, po bëhet gati për sfidën më të madhe të jetës së tij. Më 28 Nëntor, në Ditën e Flamurit, ai do të tentojë të thyejë një tjetër rekord “Guinness” duke u ngjitur në ndërtesën më të lartë në botë, Burj Khalifa në Dubai.
Me një karrierë 26-vjeçare, gjatë së cilës ka vendosur 20 rekorde të Guinness-it dhe 22 rekorde botërore, Agushi vazhdon të mbajë lart emrin e Kosovës në arenën ndërkombëtare, pavarësisht mungesës së theksuar të mbështetjes institucionale dhe financiare.
Pushtimi i Burj Khalifa-s paraqet një sfidë ekstreme fizike dhe teknike. Ndërtesa është 828 metra e lartë, ka 160 kate dhe një total prej 3476 shkallësh. Vështirësia shtohet nga arkitektura jo-standarde e shkallëve dhe hapësirës.
“Është një ndërtesë gjigante e pabesueshme dhe shkallët nuk janë standarde. Disa kate kanë 12 shkallë, të tjera 16 apo 18, dhe ka kate me 36 shkallë,” shpjegon Agushi. “Vështirësia më e madhe është se në disa pozita, tavanet janë vetëm 1.90 metra të larta. Unë jam 1.70 metra, që do të thotë se kam më pak se 20 centimetra hapësirë për të mos e goditur tavanin me top. Është një sfidë jetësore, por dua ta realizoj në më pak se dy orë.”
Agushi tashmë e ka testuar terrenin. Gjatë muajit shtator të këtij viti, ai kaloi katër ditë në këtë ndërtesë për t’u njohur me kushtet, ku arriti të vendosë dy rekorde të reja përgjatë stërvitjes. Ai u ngjit dhe zbriti 2160 shkallë për 1 orë e 12 minuta, duke e goditur topin me kokë rreth 9500 herë gjatë kësaj periudhe.
Pjesëmarrja e Agushit në këtë event prestigjioz ishte në prag të dështimit për shkak të neglizhencës së institucioneve. Sipas rregullave, kërkesa për pjesëmarrje duhej të bëhej nga vetë shteti i Kosovës, një hap që nuk u realizua asnjëherë nga autoritetet përkatëse.
Zgjidhja erdhi përmes gazetarit të njohur shqiptar, Blendi Fevziu. Pas ftesës së Agushit në emisionin e tij, Fevziu u angazhua personalisht dhe brenda 10 ditësh arriti të aplikonte dhe të merrte përgjigje pozitive nga shteti i Dubait, duke i hapur dyert rekordmenit kosovar.
“I jam shumë mirënjohës gazetarit Blendi Fevziu, sepse pa angazhimin e tij do të ishte e pamundur të sfidoja këtë ndërtesë. Fati më ka përcjellë dhe do të mundohem ta pushtoj këtë ndërtesë me shumë sukses,” thekson Agushi.
Rrugëtimi i Agim Agushit drejt majave botërore filloi në gusht të vitit 2002, në Prishtinë. Rekordi i tij i parë u vendos duke ecur poshtë e lart 1780 shkallët e Postë Telekomit të Kosovës (PTK), një paralajmërim i qartë i një karriere që do të thyente çdo kufi të mundshëm.
“Fillimi ishte shumë i vështirë, sapo kishim dalë nga lufta. Por me ushtrime dhe një vullnet të hekurt, i vetmuar, ia dola të hyj në botën e zhonglimit, duke thyer çdo rekord aty ku jam paraqitur. Për këtë, falënderoj më së shumti familjen time, e cila më ka mbështetur në çdo moment,” kujton ai. “I kam treguar gjithë botës se edhe nga një vend i vogël si shteti ynë, mund të dalin kampionë botërorë.”
Pavarësisht 42 rekordeve në total (20 Guinness, 22 Botërore), mbështetja financiare dhe institucionale për Agushin është pothuajse inekzistente. Kostoja për pjesëmarrjen në Dubai është e lartë, por deri më tani, e vetmja ndihmë ka ardhur nga Komuna e Vitisë, e cila ka ndarë 1,000 euro.
Shteti dhe bizneset vendore e kanë anashkaluar në heshtje këtë sportist me përmasa ndërkombëtare. Nëse një rekordmen i tillë do të përfaqësonte një shtet perëndimor, ai do të financohej me miliona për të promovuar imazhin e vendit. Ndërkaq, në Kosovë, mungesa e përkrahjes jo vetëm që rrezikon pjesëmarrjet e tij, por zbeh edhe entuziazmin për të arritur rezultate kulminante.
Fiks 24 vite më parë, në nëntor të vitit 2002, një Agim i ri e në fillim të karrierës premtonte se do t’i thyente të gjitha rekordet për ta bërë krenar shtetin e Kosovës. Atë premtim e ka mbajtur me përpikëri. Tani, në prag të datës historike të 28 Nëntorit, është koha që shteti dhe bizneset kosovare të tregojnë anën e tyre humane dhe kombëtare, duke e mbështetur kampionin e tyre në rrugëtimin drejt pushtimit të majës së botës në Dubai.





