Trashëgimi

Shtëpia-muze e Kadri Zekës në Poliçkë të Kamenicës

dini Shkruan: Sherafedin Kadriu, QRTK-Gjilan

Dikur shtëpia e Pajazit Zekës, tani është emërtuar si Shtëpia-muze e Kadri Zekës, në emër të  veprimtarit të çështjes kombëtare, i cili  vra në një fshat të vogël, afër Shtutgardit të Gjermanisë, Untergrupenbah. Objekti i rindërtuar ka pësuar ndryshime, ndërsa atributi i përket emrit të heroit të Kosovës, – një emër me të cilin janë emërtuar institucione të ndryshme, veçanërisht shkollore, sikundër ka ndodhur me Universitetin Publik në Gjilan, i cili mban emrin Kadri Zeka.

Ndryshimet që ka pësuar objekti vërehen në materialin e përdorur për ndërtim, po edhe për pamjen patjetër. Materiali, kryesisht është gurë i gdhendur, nga jashtë me fuga që duken me shije, ndërsa në vend të hatullave dhe shtyllave vertikale prej druri, mjeshtri ka bërë imitime. Streha e kulmit katërujës është bërë nga drurët e stilizuar dhe i janë vendosur ullukët.  Veç disa kthinave të vogla, shtëpia me dy etazhe ka nga një dhomë të madhe në të dy katet. Shtëpia e vjetër, në katin përdhes ka pasur dy dhoma, atë të bukës, dhe atë të kafshëve, a ahurin. Ndërsa në kat kishte një korridor të ngushtë me katër dhoma. Megjithatë, duke ditur për veprimtarinë e ngjeshur atdhetare të Kadri Zekës, edhe ky ndryshim sikur i shkon shtëpisë së heroit, i cili me sivëllezërit e tij Jusuf e Bardhosh Gërvalla, kishte arritur të bashkonte ilegalen shqiptare në mërgim. Në dhomën e përdhesit nuk ka asgjë të shtruar, ndërsa dhoma e katit është shtruar me qilima , jana dhe një postaçi dashi. Në ballë të dhomës qëndron oxhaku i punuar kastile që i jep një pamje ode vetë dhomës. Në dhomë gjenden edhe disa korniza me fotot e Jusufit, Kadriut dhe Bardhoshit, por duket se janë vendosur pa shije. Nuk ka asgjë nga Kadriu: as një veshje e që Zekët mund ta kenë, ndonjë libër të Kadriut, shkrime të tij dhe të Jusufit e ilegalëve të tjerë etj. Në këtë shtëpi – kullë, mund të ketë edhe ndonjë DVD, për të cilat jemi në dije se ekzistojnë dhe vizitorët që nuk janë të rrallë të mund të dëgjojnë Kadriun si fliste, përkatësisht oratorinë e tij dhe njohjen e shqipes standarde qysh në fillesë të saj.

Një ballkon në kat është punuar me shije dhe ka formën e të mëparshmit, i rrethuar me copëza dërrasash, sikundër edhe oborri i trajtuar mirë: atje një dorë dredhëzash, më tutje pakëz qepë të mbjella, një kopsht së bashku me pemët e reja që po hedhin shtat. Mirëmbajtja e oborrit është në nivel, por jo edhe mirëmbajtja e shtëpisë.

You Might Also Like