Në vend të përkujtimit
Shkruan : Zejnullah Rexhepi
U lind në fshatin Pozheran. Fshati të cilin unë e quaj, fshati i Shemsiut, për shkak se i përgjigjej një personaliteti siç ishte Shemsiu të quhet edhe fshati, fshati i Shemsi Zukës. Profi i cili përcolli 40 gjenerata me një vullnet dhe pasion që do të mbetet në kujtesën e tyre si intelektuali shumë i devotshëm, jo vetëm për lëndën e fizikës që ishte i pa konkurrencë jo vetëm në anamoravë por në gjithë trollin e Republikës së Kosovës. Por edhe me angazhimin e tij për Liri e Pavarësi të Kosovës.
Profesori Shemsi Zuka u lind në një familje atdhetare dhe me lindjen e tij nga prindërit, veçanërisht nga babai Rashiti, mori orientimin e Atdhe-dashurisë dhe mundë të them se kur u njoftua me vëllezërit dhe prindërit, ai u njoftua me vëllezërit Frashëri, Abdylin, Naimin, Samiun dhe Mithat Frashërin, pasiqë ai ata i gjeti në dhomë dhe në familje. Fotografitë e tyre zinin vend të veçantë në murin e odës së Rashit Zukës. Prindërit dhe të afërmit tjerë bisedonin për këta rilindës, me miq e musafir dhe bisedat që zhvilloheshin të bënin të mendosh se pjesëmarrës të bisedës ishin edhe vëllezërit Frashëri.
Këto biseda në tubimet me dashamirë e miq të dashur për Kosovën e robëruar, herët u ngulitën në mendjen e Shemsiut për të vazhduar punën liridashëse në lagje, shkollë, fshat,, studime si profesor, udhëheqës i Lidhjes Demokratike dhe duke u pri të gjitha fushat me një trimëri, talent, besim të lartë sa mundë të them se ishte kulmi i këtyre në Anamoravë dhe i pranuar në elitën intelektuale të Kosovës si i tillë.
Shkollën fillore Shemsiu e kreu në Pozheran, në fshatin e lindjes, ndërsa shkollën e mesme teknike në Ferizaj. Pastaj në vazhdim të shkollimit ai zgjodhi lëndën e Fizikës, ku u regjistrua në këtë degë pranë Fakultetit të Shkencave Natyrore në Prishtinë, dhe me sukses të jashtëzakonshëm dhe notë mesatare mbi 8-të në afatin rekord kreu këtë fakultet dhe menjëherë në shtatorin e parë të diplomimit, si profesor i Fizikës u pranua në Viti pranë Gjimnazit “Kuvendi i Lezhës” dhe madje me të vazhduar punën e profesorit edhe në fshatin e tij të lindjes, Pozheran.
Profi Shemsi Zuka për dyzet vite ishte i pa vërejtje, punëtor i madh, profesionist kulmor, moralist i pa krahasuar dhe më kryesorja patriot i nivelit më të lartë. Ai ka qenë gjithherë në elitën atdhetare të fshatit dhe qytetit të Vitisë dhe si pjesëtar i kësaj elite intelektuale e patriotike ai vdiq. Vdiq për të mos vdekur kurrë, sepse ndërrim-jeta është e pranueshme për secilin, por ndërrim-jeta për të është pavdekësi.
Ai mbetet gjallë, te kolegët e punës si i pakontestueshëm, te nxënësit si profi më i çmueshëm dhe te elita politike si i pazëvendësueshëm. Sa të jetë Vitia, sa të jetë Pozherani, e sa të jet Prishtina dhe pa mëdyshje sa të jet Kosova.
Shemsiu nuk njohu frikë as nga sëmundja e as nga vdekja, ai njohu idealet shqiptare dhe idealet njerëzore dhe mbi këtë bazë- themel ai u përqendrua kudo qoftë, i sëmurë në familje, Belgjikë, ai e kishte lirinë e Kosovës në gojë dhe në vepër deri në frymën e fundit të tij.
Ai çmohej për këtë nga të gjithë shqiptarët dhe njerëzit, sepse e meritonte një respekt të tillë, respekt ky që e përcolli gjatë gjithë jetës por edhe pas vdekjes.
Kujtohet me epitet të lartë në kohën kur pati sëmundjen e veshkave, vëllai Hysniu por edhe të tjerët i thanë zgjedhe veshkën e cilit duash vëlla, ne s’ka gjë që na dhimbset për ty vëlla Shëmsi. Dhe ai me Hysniun shkuan në Belgjikë e transplantuan veshkën e Hysniut i cili ishte profesor i gjuhës shqipe.
Vëllezërit nuk kishin asnjë dilemë dhe me plotë guxim shkuan sikur të shkonin për një vizitë atje. Aty Hysniu u pyet shpesh nga mjekët se mos kishte ndonjë presion? Hysniu u përgjigj – “Po kam presion të madh, nuk po mund me e pritë kohën me u operua që t’ia jap veshkën vëllait, intelektualit, patriotit dhe njeriut shumë të dashur për ne, Shemsiut”.
Mjekët menjëherë ndërmorën hapin e operimit dhe ia dolën me plot sukses. Kjo ishte njerëzorja e Hysniut për Shemsiun, për patriotin dhe intelektualin e pashoq, për familjarin e pazëvendësueshëm, jo vetëm te Zukajt, jo vetëm për Pozheran apo Viti por edhe në gjithë shqiptarinë, i cili mbeti një shembull eklatant.
Një shembull familjeje e vllaznie intelektuale, patriotike e njerëzore.
Unë shumë e çmoj këtë familje, unë shumë e çmoj babin e tyre, unë shumë i çmoj vëllezërit e tij, i çmoj Zukajt por më së shumti i çmoja përherë këtë tandem të madh, Shemsiun dhe Hysniun.
Lus të bëhen të fortë familja Zuka e veçmas vëllezërit e tij, se kishin vërtetë një vëlla për respekt, kishin vëlla që të gjithëve na ka lënë humbje pa zëvendësim.