OPINION

Politikën e shoh si mjet të lehtësimit të jetës së qytetarëve

  Shkruan: Arsim Kqiku –

Unë kam vendosur për të qenë pjesë e listës së AKR-së, për të garuar si anëtar i Kuvendit Komunal të Dardanës apo ish Kamenicës. Vendimi im për të qenë pjesë e Kuvendit Komunal, në fakt është vendimi për të qenë zë i besueshëm i bashkëqytetarëve të mi; i fqinjëve të mi të cilët më mbushin shpirtin kur përshëndesim njëri-tjetrin në afërsi e largësi; i të gjithë bashkëqytetarëve me të cilët ndajmë fatin tonë të përbashkët, brengat tona, rrugët tona, dëshirat tona. Për nga natyra, jam tip i qetë dhe mjedisi ku jetoj dhe veproj, nuk më lë të qetë. Nuk ndihem i qetë kur politikanët bëhen afër me qytetarët vetëm në kohë fushate. Nuk ndihem i qetë kur zëri i qytetarëve nuk dëgjohet fare. Dua të jem një zë i tyre, duke vënë kontakte të drejtpërdrejta me ta, duke mos humbur komunikimin me ta. Nëse një qytetar në fshatin më të largët e ka një brengë, unë do të bëhem transmetues i brengës së tij në organin më të lart vendimmarrës, sikur është Kuvendi Komunal dhe Kryetari i Komunës. Ne si anëtar i Kuvendit do të kemi përparësi shtesë nga shumë anëtarë të partive të tjera politike. Përparësia jonë qëndron se partia jonë ka edhe ekzekutivin. Kjo na jep shpresë se komuna e Dardanës dhe asnjë komunë tjetër, nuk mund të diskrimohet me baza politike. Deri më tash, praktika ka treguar se kryeministrat e ministrat, kanë dërguar projektet e tyre vetëm në komunat e partive të tyre. Ne kemi shumë shpresë që njerëzit e partisë sonë, do të bëjnë ndryshime dhe nuk do ta lënë Dardanën, të braktisur sikur ka qenë për kohë të gjatë. Prandaj, sa më shumë kandidatë të AKR-së në Kuvendin Komunal të Dardanës, është forcim edhe për vetë Dardanën. Unë politikën e shoh si mjet të lehtësimit të jetës së qytetarëve dhe nuk e përziej me kategori të tjera të gënjeshtrës, përfitimit personal, etj. Në rrogën e parë timen si anëtar i Kuvendit Komunal, ndonëse është mjaft e ulët për çmimet e shtrenjta të artikujve, do t’ia bleja 10 fëmijëve nga familje të varfra, nga një palë këpucë. Jo që është ndonjë gjë e madhe, por unë politikën e shoh edhe si transmetim modelesh te fëmijët tanë. Dua që me një gjest të tillë, sado simbolik, të përçoj mesazhin se duhet bashkëndjerë me familjet në nevojë; se solidariteti dhe ndihma reciproke për njëri-tjetrin duhet të jetë gjithmonë, pavarësisht pozitave tona shoqërore dhe duhet të përpiqemi përgjithmonë për barazi, drejtësi e solidaritet njerëzor. Nuk mund të fle rehatshëm gjersa ka shumë të varfër, të papunë; punëtorë që nuk kanë asnjë ditë pushim, nuk kanë siguri në punë, etj. Do të jem zë për të gjitha shtresat shoqërore, prej atyre që mezi kanë kafshatën e tyre të gojës për mbijetesë, e gjer në përmirësimin e jetës së secilit që jeton në komunën tonë. Do të bëhem iniciator i bashkëpunimeve ndërkomunale në regjionin e Anamoravës, sikur me komunën e Gjilanit, Artanës, Vitisë, me qëllim të bashkëpunimit në projekte të përbashkëta, qoftë në bashkëpunim edhe me organizatat e huaja qeveritare dhe joqeveritare, qoftë edhe me organizata lokale. Do t’ia përkujtoj gjithmonë kryetarit të komunës, si anëtar i Kuvendit, se bashkëpunimi ndërkomunal, pavarësisht linjave partiake, është më se i rëndësishëm për projektet e mëdha kapitale. Do të bëhem zë i arsyes, interesit publik, interesit të qytetarëve të Dardanës. Jam politikan i gjeneratës së re dhe kuptoj sidomos nevojat e të rinjve. Të rinjtë janë shumicë në komunën e Dardanës dhe krejt Kosovën. Pavarësisht se janë shumicë, zëri i tyre më së paku dëgjohet dhe janë me pozitat më të pakta vendimmarrëse. Nëse të rinjtë më mbështesin mua dhe më ndihmojnë në këtë rrugëtim, ndihmojnë përfaqësuesin e tyre të jetë pjesë e Kuvendit. Me mua, futet brezi i ri, mendimi i ri, mendimi ndryshe. Të rinjtë e kanë mundësinë e madhe të ndihmojnë brezin e tyre të jetë në pozita ligjbërëse. Do të jem zë i të gjithëve pa dallim. Do të jem zë i familjeve të varfra, të cilat kanë vështirësi të mëdha! Do të jem zë i përmirësimit të komunës sonë për investitorë lokalë e të huaj. Ne jemi në një rrugë shumë të rëndësishme regjionale ndërmjet dy shteteve dhe afërsisë me Luginën e Preshevës, Bujanocit e Medvegjës. Nëse ka politika të mira qeverisëse, ne mund të bëhemi zonë shumë e rëndësishme ekonomike, tregtare e industriale. Ne kemi nevojë të kemi anëtarë të Kuvendit Komunal, që e përmirësojnë kryetarin e komunës, në vendimet e tij. Nuk duhet të jemi me ide e besime të cilat u interesojnë vetëm partive tona politike, por duhet të jemi para së gjithash zëri i parë i qytetarëve pa dallime partiake. Do të jemi zë i të gjitha shtresave shoqërore, prej bujkut, studentit, të papunësuarve e gjer në shtresat e krijuesve të arteve. Do të jem zë i ansambleve të valleve e të këngëve popullore që kanë shumë sfida në veprimtarinë e tyre kulturore! Do të jemi zë i organizimit të manifestimeve tradicionale dhe thirrjes për rritje buxhetore! Do të jemi zë i atyre të cilët ankohen në drejtorinë e arsimit, sepse nuk janë pranuar, pasi nuk kanë pasur dikë të njohshëm, ndonëse e meritojnë!

You Might Also Like