Gjilan, 19 korrik 2021 – Komuna e Gjilanit ka pranuar sot donacionin nga Shoqata Komuniteti Kombëtar i Ballkanit “Piramida ” në Austri, në bashkëpunim me OJQ “Gruaja Hyjnore” dhe drejtorinë e Shëndetësisë, për mbështetjen direkte të personave me aftësi të kufizuara.
Donatori ka sjellë në Gjilan 25 karroca për persona të palëvizshëm, 20 pajisje ndihmse për ecje dhe 5 pako me material të ndryshëm përcjellës për persona me aftësi të kufizuara.
Drejtori i Shëndetësisë në Gjilan, Selami Xhemajli, ka falënderuar donatorin për mbështetjen e ofruar dhe njëkohësisht ka konfirmuar se pajisjet do të shfrytëzohen në bazë të prioriteteve dhe nevojave që ka Handikosi, por edhe institucionet shëndetësore gjithashtu.
Xhemajli gjithashtu tha se donatorët dhe Komuna e Gjilanit në bashkëpunim edhe me organizatat vendore me prioritet i trajtojnë të gjithë personat me aftësi të kufizuara, për të qenë të barabartë në shoqëri.
Sabedin Delija, në emër të shoqatës ka thënë se edhe në të ardhmen do të jenë kontribues në bazë të mundësive në forma të ndryshme për Gjilanin dhe Kosovën, sepse siç ka thënë ai vetëm përmes mbështetjes për njëri-tjetrin, kuptojmë se sa kanë nevojë individ apo familje të ndryshme në shoqëri.
Arjeta Maka, nga OJQ “Gruaja Hyjnore”, ka falënderuar donatorin dhe Komunën e Gjilanit duke theksuar se donacioni është shumë i rëndësishëm dhe i ardhur pikërisht për ata që kanë më së shumti nevojë në shoqëri.