Gjilan

Komuna e Gjilanit nderon dëshmorët Abdullah Tahiri, Ibrahim Pacolli e Arben Ramadani, në 23-vjetorin e rënies

Gjilan, 19 maj 2022 – Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, së bashku me nënkryetaren Leonora Morina Bunjaku, kryesuesin e Kuvendit, Arianit Sadiku e bashkëpunëtorët, kanë bërë nderime te varrezat e dëshmorëve në 23-vjetorin e rënies së dëshmorëve Abdullah Tahiri, Ibrahim Pacolli dhe Arben Ramadani, në ngjarjen ku morën pjesë edhe përfaqësues nga niveli qendror, të FSK-së, Policisë së Kosovës, familjarë të dëshmorëve e përfaqësues të shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së.

“Ajo që ne bëjmë çdo vit e që është obligim edhe njerëzor, moral e kombëtar i secilit përfaqësues institucional e secilit qytetar, është që të përkujtojmë dëshmorët, veprat e tyre, por edhe të sigurohemi që të mbështetemi në punën tonë të përditshme në veprat e lavdinë që ata kanë lënë pas. Lavdi e përjetshme dëshmorëve Abdullah Tahiri, Ibrahim Pacolli e Arben Ramadani dhe të gjithë dëshmorëve të kombit!”, ka thënë pas homazheve kreu i Gjilanit, Alban Hyseni.

Ish-komandanti i Zonës Operative të Karadakut, Ahmet Isufi, tha se rënia e tyre na kujton ditët e vështira të popullit tonë në luftën për liri e pavarësi të vendit.

“Pa flijimin e dëshmorëve dhe pa përpjekjet e mëdha të të gjithë atyre që u vunë në shërbim të lirisë, nuk do t’i kishim ditët e sotme”, ka thënë Isufi.

Më pas, drejtues të Komunës së Gjilanit kanë bërë homazhe te lapidari i dëshmorit Abdullah Tahiri dhe te busti i tij në fshatin Malishevë.

You Might Also Like