Banorët e fshatit Karaqevë e Poshtme të Komunës së Kamenicës, preokupim të tyre vazhdojnë të kenë sigurinë edhe atë që nga viti 2001. Këto shqetësime ata po i paraqesin edhe para forcave të sigurisë. Kështu për këtë ata i njoftuan edhe përfaqësuesit e KFOR-it, të stacionuar në Kampin Bondstill. Selver Lenjani, kryetar i Bashkësisë Lokale të Karaqevës së Poshtme, thotë se Serbia edhe më tej pretendon të shkëput një pjesë të territorit të kësaj pjese të Kosovës. Ai thotë se për këtë po e ngrenë zërin që nga viti 2001, por që me këtë problem nuk po merret askush. Ai vazhdon të deklarojë se nuk kanë tokë për t’i falur askujt dhe se për këtë e kanë njoftuar edhe KFOR-in. Banorët vazhdojnë të kërkojnë që Policia e Kosovës të patrullojë në rrugën prej kthesës Novosellë dhe deri në fshatin Karaqevë, ngase banorët janë të brengosur.
Lenjani vazhdon të kërkojë nga udhëheqja kosovare që të jenë më aktivë dhe të merren më shumë me këtë pjesë të territorit të Kosovës, sikurse që falënderon për punën e deritashme të KFOR-it e të Policisë së Kosovës.