Futboll

Vesel Berisha, që u dallua me mirëmbajtjen e Stadiumit të Qytetit në Gjilan, bëri që fusha të shpallet më e mira në ish-Jugosllavi

Malësia e Gollakut gjithmonë ndër vite ka pasur në mesin e saj njerëz trima e të zot, të cilët me punën e tyre kanë mahnitur edhe strukturat e mëdha udhëheqëse të ish-Jugosllavisë. I tillë ishte Vesel Berisha, i cili  edhe pse i lindur në Gjilan, në vitin 1922 për shkaqe familjare detyrohet me axhallarët e tij të rikthehet në fshatin Svircë e pas një kohe me familjarët e tij rikthehet në Gjilan për të jetuar e kontribuar. Axha Vesel siç e quanin të gjithë, ishte një malësor sypatrembur, i cili në kokë mbante plisin e bardhë e ishte njeri i fjalës e i besës, në asnjë moment nuk i’u përkul askujt. Vesel Berisha gjatë jetës së tij kishte shumë peripeci, por ai asnjëherë nuk u dorëzua para sfidave të jetës, përkundrazi atë e bën edhe më të fortë ndajë të gjithë këtyre fortunave të cilën jeta e kishte sprovuar. Në rininë e tij, Vesel Berisha, ishte polic, i cili kryente punën e tij siç është më së miri, por ai në asnjë moment nuk e harroi gjysh, babgjysh e katragjyshët në sfidat të cilat kishin kaluar në sistemet e Krajlit e të shtetit Jugosllav. Vesel Berisha ishte njeri me virtyte të larta patriotike kështu në vitin 1947 derisa një turmë e madhe e serbëve të Gjilanit po kremtonin festën e 1 Majit dhe një festë tjetër fetare serbe, Vesel Berisha e shqyen flamurin e ish-Jugosllavisë në qendër të qytetit. Ai burgoset, por me ligjet e atëhershme, pas një kohe lirohet. Vesel Berisha në asnjë moment nuk u tremb nga pasojat të cilat do t’i vuante. Ai ishte i drejtpërdrejt e stoik, por ai nuk mbetet pa u ndëshkuar edhe nga viti 1967 gjerë në vdekjen e tij në vitin 1982, e transferojnë në mirëmbajtjen e Parkut të Qytetit dhe me punën e tij të ndershme dhe profesionale e transferojnë të mirëmbajnë barin e Stadiumit të Qytetit në Gjilan. Në stadiumin e qytetit të Gjilanit, kishin zbarkuar shumë skuadra me renome të ish-Jugosllavisë, për të luajtur e bari dhe kualiteti i stadiumit ishte më i miri në ish-Jugosllavi, këtë e kishin konfirmuar edhe shumë klube të asaj kohe me renome e për këtë më meritori ishte Vesel Berisha. Kjo punë nuk mbetet pa u vërejtur edhe nga strukturat e Federatës së Futbollit të ish-Jugosllavisë, të cilët në vitin 1979 e shpërblejnë me mirënjohje për punën cilësore të cilën e kryente për mirëmbajtjen e fushës. Një falënderim dhe mirënjohje të tillë e kishte marrë edhe nga Komuna e Gjilanit gjatë vitit 1979 duke e shpallur punëtorin më të mirë. Vesel Berisha ishte atdhetar i devotshëm i çështjes kombëtare, në zemrën e tij gjithmonë jetonte Kosova e pavarur, ai e kishte ëndërr të cilën nuk e shijoi pasi që në vitin 1982 në moshën 60 vjeçare ndërroi jetë.

Se çfarë njeriu ishte Vesel Berisha tregon ish-futbollisti , Ekrem Beqiri-Rukovci, i cili thekson se Vesel Berisha ishte një personalitet i jashtëzakonshëm. “Axha Vesel siç e thërrisnim të gjithë , ishte një njeri me virtyte të larta njerëzore, ishte punëtor i jashtëzakonshëm por ishte edhe shumë trim, ai nganjëherë nga meraku për barin e stadiumit se a do t’i prishet apo rritet flinte edhe në stadium vetëm e vetëm për ta mirëmbajtur, shumë herë edhe në ora katër të mëngjesit ai dilte në stadium për ta ujitur e mirëmbajtur, me një fjalë ishte njeri i dashur e i respektuar, jemi shumë krenar që kemi pasur bashkëpunim me këtë njeri të madh siç ishte Vesel Berisha”, thotë Rukovci. Vesel Berisha pas vete la 8 fëmijë të cilët sot janë ende në jetë me mbi 32 nipa e mbesa. Ndërsa, fëmijët e tij të cilët po bëjnë gjurmë në jetën e përditshme të shtetit të Kosovës janë këngëtari i mirënjohur Naser Berisha, e Jakup Berisha, i cili ishte drejtor i Kosovatransit në Gjilan e tani kryetar i Unionit të Shoqatave të transportit rrugor të udhëtarëve në Kosovë e organizuar nga Oda Ekonomike e Kosovës . Edhe pas 24 vite të lirisë së Kosovës, gjerë më tani askush nuk e kujtoi e nderoi Vesel Berishën, i cili një jetë të tërë ia kushtoi e popullit shqiptarë që aq shumë e deshi dhe i cili në asnjë moment nuk ju përkul sistemit ish-Jugosllavë. Shteti Jugosllavë me 22 milion banorë, e kishte parë të rrugës ta nderon me mirënjohje nga Federata e futbollit të ish-Jugosllavisë e cila konsiderohej njëra ndër më të fortat në Evropë, ndërsa kur sot kemi shtetin tonë ne i harrojmë njerëzit më të mirë që ka dhuruar ky vend, këto gabime nuk falen se historia mund të na dënon.

You Might Also Like