ARSIMI

Shkolla “Thimi Mitko” dhe “Liria” në Gjilan shënojnë ditën e themelimit të tyre

Në Komunën e Gjilanit sot shkolla “Thimi Mitko”, dhe shkolla “Liria” e fshatit Pogragjë kanë shënuar përvjetorin e tyre të themelimit, duke sjellë para të pranishmëve të shumtë suksese të veçanta dhe vendimtare që nga themelimi e deri më sot për edukimin e brezave të shumtë dhe ngritjen e arsimit shqip në Gjilan.

Në fjalën e tij, para të pranishmëve organizimin e shkollës “Thimi Mitko”, kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, pasi ka kujtuar çaste të ndryshme nga koha kur ai ishte nxënës i kësaj shkolle, ka uruar që brezat e sotëm të fokusohen edhe më shumë në dije, në shkencë dhe në zhvillim të vendit.

“24 maji është ditë e shënuar për shkollën “Thimi Mitko”, dhe njëkohësisht edhe për shkollën “Liria”. Uroj që “Thimi Mitko”, shkolla ime e parë ku isha nxënës i saj dhe ku nisa rrugëtimin e ndërtimit të fëmijërisë. Sot i falënderoj të gjithë mësimdhënësit veteranë të kësaj shkolle, duke i kujtuar ata gjithnjë pjesë të rëndësishme të edukimit, arsimit dhe elegancës. Gjithë këta mësues, edhe mësuesja ime e parë, janë ata që neve na kanë bërë t’i marrim për shembull të mirë dhe sot ndjehemi krenar. Kërkoj nga drejtoresha Fitore Malaj, mësimdhënësit, nxënësit, prindërit, inspektoratin e arsimit dhe gjithë të tjerët, që arsimin ta ruajnë si prioritet të parë. Kërkoj nga të gjithë që të sjellim suksese dhe të ndjehemi krenarë me këta fëmijë që sot performojnë në mënyrën më të mirë baletin, liqenin e mjellmave dhe aktivitete të ndryshme impresionuese”, ka thënë Haziri.

Haziri ka kërkuar që shembujt e mirë të kësaj shkolle dhe të gjitha shkollave të tjera të dyfishohen dhe të gjithë bashkërisht të ndjehemi krenar me të arriturat.

E nga ana e saj, Fitore Malaj, drejtoreshë e shkollës fillore “Thimi Mitko”, ka përgëzuar nxënësit, mësimdhënësit dhe prindërit për angazhimin e vazhdueshëm dhe suksese që jo vetëm shkollën por edhe Gjilanin e bëjnë krenar.

Ajo, poashtu, ka thënë se përkushtimi i vazhdueshëm i shkollës, i Drejtorisë së Arsimit dhe bashkëpunimi shumë i mirë me qeverisjen komunale na bëjnë të fokusohemi edhe më shumë në cilësi, në infrastrukturë edhe më të madhe por edhe në mbarëvajtje të duhur të proceseve edukativo-arsimore të programit të shkollës.

Përndryshe, para të pranishmëve është shfaqur një program i pasur kulturo-artistik i përgatitur nga nxënësit dhe mësimdhënësit e kësaj shkolle.

You Might Also Like