Gjilan

LDK: VV e degradoi edhe shëndetësinë, profesionistët shëndetësorë po përballen me metoda kërcënimi, pasigurie e dhune psikologjike çdo ditë

Lidhja Demokratike e Kosovës-Dega Gjilan, ka mbajtur konferencë për medie në selinë e LDK-së në Gjilan.
Kryetari i Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, ish-ministër i Shëndetësisë dhe njëherësh ish-deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Dr. Imet Rrahmani, ka paraqitur sot para qytetarëve të komunës së Gjilanit, shqetësimet e Degës në lidhje me fushën e shëndetësisë në Gjilan.
Lidhja Demokratike e Kosovës në Gjilan,  edhe më heret ka potencuar se shëndeti dhe mirëqenia e qytetareve duhet të jenë në vazhdimësi në fokusin e institucioneve të Komunës, brenda kompetencave dhe obligimeve ligjore, mu për shkak të specifikave që ka sektori, dhe për shkak të zhvillimeve e nevojave që ekzistojnë gjithmonë dhe atyre që paraqiten në baza ditore.
Qeverisja aktuale komunale në asnjë moment nuk ka arritur të përmbush obligimet. Ajo po sillet me neglizhencë, papërgjegjësi dhe me vendime e veprime të dëmshme që e rëndojnë gjendjen edhe ashtu të rëndë në shëndetësi.
Tash e shumë muaj, në Drejtorinë e Shëndetësisë nuk ka një individ që në baza ditore kryen detyrën dhe i ushtron kompetencat e drejtorit, në  rastin konkret të drejtoreshës.
Drejtoria është lënë pa udhëheqës, dhe nuk ka një adresë ku zyrtarët për punët e tyre specifike mund të drejtohen. Nuk ka një person që me kompetencë merr vendime dhe kryen obligimet ligjore, nuk ka mbikqyrje direkte dhe as referim për gjendjen në sektorin që mbulon Drejtoria për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, sepse mungon e para e shëndetësisë në Gjilan, jo një javë, por me muaj!
LDK, së bashku me qytetarët që kanë pasur nevojë për shërbimet e Njesisë për Shërbime Profesionale Sociale në QPS, kërkojnë shpjegim dhe përgjegjësi se si ky shërbim u reduktua nga njëmbëdhjetë të punësuar në vetëm dy. LDK në Gjilan,  është kundër që shërbimet e tilla kaq të rëndësishme për grupe të caktuara të popullatës, të sjellen në këtë gjendje nga transferimet e puntorëve dhe nga mosplotësimi i vendeve të liruara nga pensionimet.
Por, nuk është vetëm kjo. Qendra për Punë Sociale po ballafaqohet edhe me mungesa esenciale për materiale të domosdoshme në punë në zyra dhe në teren, si pasojë e shpenzimit të bugjetit për shërbime dhe mallra, për pagat e personave me kontrata në vepër apo kontrata të përkohshme.
Ka dyshime për shkelje të mëdha edhe në seleksionimin e familjeve që kanë aplikuar për ndihmë sociale.
Në Kujdesin Primar, po vazhdon praktika e njejtë e mospërfilljes së nevojave të institucioneve shëndetësore për personel dhe kushte më të mira dhe më të sigurta pune.
Menaxhohet në përgjithësi me Ushtrues Detyre, nga drejtori e deri te posti më i ulët menaxherial. Edhe aty ku ka pasur udhëheqës të zgjedhur me konkurs janë shkarkuar, dhe po të njejtit janë riemëruar në pozita të njejta, thjesht për të krijuar pasiguri dhe për të ushtruar presion. Tash kërcënimi dhe dhuna psikologjike është institucionalizuar në të gjitha sektoret dhe ne të gjitha nivelet.
Shembulli më i mirë i veprimeve të panevojshme dhe të pamenduara hiq është situata e krijuar, kohëve të fundit, në Urgjencë.
LDK, është kundër krijimit të ambienteve të tilla mosbesimi dhe mosdurimi, ku kolegialiteti dhe bashkëpunimi  i mirëfilltë profesional dëmtohen, sepse vetëm të motivuar, të respektuar dhe të vlerësuar, mantelbardhët mund të japin maksimumin  dhe të garantojnë cilësi të shërbimeve.
Ka pakënaqësi në implementimin e Ligjit të Pagave. Nuk është ekzekutuar pagesa e mjekëve që nuk punojnë në sektorin privat, siç ka ndodhur në nivelin dytësor dhe tretësor. Implementimi i konceptit të Mjekësisë Familjare po degradon çdo ditë. Ka mungesa të mëdha të barnave dhe materialit tjetër deri te ai për higjenën bazë. Janë reduktuar shërbime. Ka më pak trajnime, dhe shumë më shumë ngarkesë të personelit nga çorientimi i organizimit në QKMF dhe njësitë e saj.
LDK, me mirënjohjen më të madhe vlerëson angazhimin dhe sakrificën e puntorëve të të gjitha niveleve e sidomos të Kujdesit Primar, në përballimin e suksesshëm të të gjitha vështirësive gjatë ofrimit të shërbimeve për qytetarët, në veçanti muajve të verës kur ne mirëpresim bashkatdhetarët dhe shfrytëzojmë pushimet.

You Might Also Like