Hapet fushata “16 Ditë aktivizëm kundër dhunës ndaj gruas, dhunës me bazë gjinore dhe dhunës në familje”
Zyra për Barazi Gjinore e Komunës së Gjilanit dhe Njësia për të Drejtat e Njeriut, hapën fushatën “16 Ditë aktivizëm kundër dhunës ndaj gruas, dhunës me bazë gjinore dhe dhunës në familje”.
Kryetari i Komunës, Alban Hyseni, tha se të gjithë, sidomos gjeneratat e reja duhet të merren me këtë problem të shëmtuar dhe të gjitha dukuritë tjera që paraqiten në shoqërinë tonë.
“Pra njëherë e përgjithmonë këtij problemi t’i vije fundi e të ndalet. Rëndësia e ndërhyrjes së hershme duhet të jetë për të mbrojtur individët dhe familjet”, tha Hyseni.
I pari i Gjilanit uroi që të ketë 16 ditë aktivitete të rëndësishme për shoqërinë dhe ndërgjegjësim kundër këtij fenomeni.
Sipas tij angazhimi i të gjithëve prej nesh është thelbësor për ndihmën dhe mbrojtjen e individëve të pafajshëm që preken nga ky fenomen.