Sportet luftarake

Karateistët e Dritës përmbyllin me sukses vitin 2024

Njëri ndër klubet më të vjetra të karatesë në qytetin e Gjilanit, KK Drita, vitin 2024 e përmbyll me sukses, edhe pse gjatë këtij viti për shkak të arsyeve të ndryshme, klubi nuk ka marrë pjesë në gjashtë gara.

Nën drejtimin e kryetrajnerit Blerim Hajdari dhe trajnerit Reshat Halili, 20 karateistë kanë punuar me përkushtim të madh për të ruajtur traditën e këtij klubi, i cili ka një histori të pasur në këtë sport.

Gjatë vitit 2024, KK Drita ka marrë pjesë në disa turne vendore dhe ndërkombëtarë, duke arritur që vitrinat e klubit të zbukurohen me 47 medale, prej të cilave 14 të arta, 11 të argjendta dhe 22 të bronzta.

Karateistja më e suksesshme e këtij viti ka qenë padyshim Idea Haziri, e cila ka fituar 9 medale të arta. Kontribut të madh në sukseset e KK Drita kanë dhënë edhe karateistët: Eror Haziri, Nadon Hajdari, Alina Rrustemi, Adriatik Hyseni, Damir Ademi, Anuar Ademi, dhe shumë të tjerë, të cilët janë shpërblyer me medale të ndryshme.

Kryetrajneri Blerim Hajdari, i cili ka një karrierë të shquar në karate, theksoi për sukseset e klubit: „Për ne, viti 2024 ka qenë një vit me suksese, edhe pse nuk kemi mundur të paraqitemi në 6 gara për shkak të arsyeve tona. Klubi ka karateistë shumë të talentuar, të cilët punojnë me përkushtim të madh, dhe trajneri Reshat Halili ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm. Ne si klub e falënderojmë çdo anëtar të klubit, të cilët me punën e tyre kanë kontribuar për të mirën e tij. Po ashtu, jemi mirënjohës prindërve të karateistëve, të cilët besojnë në punën tonë të përditshme.

Uroj që viti 2025 të jetë edhe më i frytshëm për klubin tonë, si në arenën vendore, ashtu edhe në atë ndërkombëtare.“ Edhe pse KK Drita ka hasur vështirësi, sidomos në aspektin financiar, dëshira e madhe për të arritur rezultate ka mposhtur çdo sfidë dhe ka siguruar sukseset e këtij viti.

You Might Also Like