Blerim Haziri
17.01.2025
Shtëpia e Nue dhe Stane Gashit në shërbim të luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës
Shkëndijat e çlirimit dhe të bashkimit kombëtar në territorin e Kosovës, por edhe jashtë saj filluan shumë herët, por kjo shkëndijë me kalimin e kohës u shndërruan në flakë, dhe kjo flakë u intensifikua sidomos më 28 nëntor 1997 me daljen publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila datë u shndërrua në festë të dyfishtë kombëtare. Festa e Flamurit shqiptar dhe dalja për herë të parë në publik e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
E gjithë Kosova ishte në flakë nga armiku shekullor serb, por krijimi i Zonës Operative të Karadakut edhe zyrtarisht e shëndrron të gjithë territorin e Kosovës si zonë lufte dhe nga tani i gjithë territori i Kosovës përfshihet dhe mbulohet nga radhët dhe Komanda e e Përgjithshme e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por edhe ushtarët e saj kishin nevojë për çdo mbështetje si anjëherë më parë, sepse gjatë betejave të tyre të vështira e të suksesëshme, por edhe gjatë misioneve të tyre që ishin delikate dhe sekrete ata lodheshin e rraskapiteshin, madje shpesh herë krijohej nevoja edhe të pushonin e të ushqeheshin, por për shkak të ndjeshmërisë së situatës dhe misionit një gjë të tillë nuk ia besonin të gjithëve, e po këtu del në sipërfaqe familja Gashi, veçanërisht heroina Nënë Stane Gashi dhe burri i saj i ndjerë Nue Gashi.
Po Kush ishte Stane Gashi?
Stane Gashi, u lind më 02 dhjetor të vitit 1947 në fshatin Brus nga nëna Prena Gashi dhe babai Pjetër Gashi, ishte motër e Jozefit, Gjonit, Tomit, Simonit, Gjergjit dhe Llukasit, si dhe motër e Paulinës dhe Agetas. Shkollimin fillor e mbaroi në vendlindjen e saj, ndërsa jeta e kaliti dhe e mësoi për gjithçka.
E rritur në një familje me tradita kombëtare, në qershor të vitit 1965 u martua me Nue Gashin në fshatin Peshter, të cilët krijuan një familje me 11 fëmijë, 8 djemë e tri vajza e ata janë: Filipi, Fatmiri, Viktori, File, Agimi, Afrimi, Vera, Augustini, Agroni, Lurde, Marjani, nga të cilët fëmijë kësaj familje dhe nënës Stane i’u shtuan edhe plot 33 nipa e mbesa.
Duhet cekur se 3 nga djemtë e nënës Stane Filipi, Fatmiri dhe Viktori ishin veshur me uniform ushtarake dhe u’I bashkuan radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Edhe anëtarët e tjerë të familjes ishin në shërbim të atdheut, vetëm se kontributi i tyre në shërbim të luftës çlirimtare ishte në forma të ndryshme e të nevojshme.
Shtëpia për të cilën më së shumti patën nevojë ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ndodhet në Lagjen Peshter në fshatin Brus të Komunës së Lipjanit, e cila gjatë viteve të luftës së fundit në Kosovë kundër forcave okupuese serbe shërbeu për ushqim, konak, armatik e logjistikë, ku sipas dëshmitarëve dhe atyre që frekuentuan në këtë zonë, rreth 300 ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u shërbyen me gjithçka që patën nevojë si për: fjetje, strehim, pushim, ushqim, madje duke u furnizuar me informata përshkruese të situatës në këtë anë dhe me një pritje të ngrohtë si dikur që priteshin dhe mbroheshin heronjtë e luftërave të kohërave të vështira.
Gjatë kohës që qëndronin Ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës brenda shtëpisë, familjarët e ngushtë të nënës Stane kujdeseshin jashtë mureve të shtëpisë, duke rritur perimetrin e sigurisë dhe të vëzhgimit, për të mos ndodhur ndonjë e papritur për ushtarët e lirisë të cilët luftonin për mbrojtjen dhe për lirinë e Kosovës dhe të popullit shqiptar.
Në këtë shtëpi mbrojtje e strehim, por edhe shërbim, gjetën shumë Komandant e ushtarë të Zonës Operative të Karadakut, por edhe të atyre të Zonës së Nerodimës, e të Zonës së Llapit.
Po në këtë shtëpi frekuentuan edhe Dëshmorët e Kombit: Pajazit Ahmeti, Muharrem Ibrahimi, Bahtir Jahiri, Enver Miftari dhe Fadil Jakupi.
E gjithë struktura e shtëpisë, sidomos kati përdhesë i kësaj shtëpie u shndërrua në bastion të UÇK-së, ku me shtimin e trupave të UÇK-së kjo familje, e ndërruan planin e shtëpisë, ku katin e parë të saj e shndërruan në shërbim të ushtarëve, ndërsa katin përdhesë e kthyen në një depo me ushqime dhe armë të ndryshme, të cilat shfrytëzoheshin për çlirimin e Kosovës. Pra, në një mënyrë e gjithë familja edhe fizikisht u bashkuan dhe jetuan me ushtarët e lirisë.
Nënë Stane Gashi thotë se kthimin e bukës për ushtarët e UÇK-së e bëmë me kënaqësi, madje thoshte se edhe bukën e fundit e shpërndamë për trimat e kësaj ane, duke mos menduar fare se të nesërmen a do të ketë familja ushqim për të ngrënë apo jo.
Po ashtu, ajo që kujton Nënë Stane Gashi dhe e tregon me emocion është se vetëm gjatë një ditë kanë shërbyer 30 ushtarë të UÇK-së, ku thotë se ju kanë kthyer ushqim dy herë brenda ditës, dhe kanë treguar një kujdes të veçantë që gjithmonë ushqimi të jetë i freskët, madje duke i shërbyer me çaj e me kafe si për veti. Edhe pse në sytë e ushtarëve kuptohej që këtë trajtim nuk e dëshironin, sepse krijohesh përshtypja e luksit, por ne si familje kështu kemi vepruar, sepse edhe djemtë tanë kanë qenë në mesin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Të nderuar të pranishëm, një betejë pa logjistikë është një luftë e humbur, prandaj çdo familje, çdo individ e çdo shtëpi që ka qenë në shërbim të luftës çlirimtare është për t’u vlerësuar dhe admiruar.
E veçanta e kësaj mikrohistorie është se, do të duhej që kjo ngjarje të ishte shembull për të gjithë njerëzimin dhe të merret si model në të gjithë botën, sepse familja dhe shtëpia e cila u shndërrua në një bujtinë për ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës i përkiste besimit katolik, ndërsa pjesa dërmuese e ushtarëve të UÇK që shërbyen në mbrojtje të vendit, që strehoheshin e ushqeheshin në këtë shtëpi, si dhe ndiheshin si në shtëpitë e tyre i përkisnin besimit myslimanë.
Dhe për fund me iniciativën e z. Ismet Sylejmanit dhe me përkrahjen e plotë të Kryetarit të Komunës z. Alban Hyseni, të cilët kanë kërkuar emërtimin e një rruge me emrin e të ndjerit Nue Gashi bashkëshortit të nënës Stane Gashi.
Komisioni për emërtimin e rrugëve e ka pranuar me kënaqësi këtë kërkesë dhe njëzëri rekomandon Kuvendin Komunal të Gjilanit që të aprovohet një kërkesë e tillë.
Lavdi të gjithë të rënëve për lirinë dhe pavarësinë e vendit!