Erdë Mehmeti
Lutem
I lutesha piktorëve për ty,
e ata të pikturuan,
si të ishe krijesë e perëndisë.
I lutesha muzicientëve për ty,
E ata përshpërisnin serenata,
nën tingujt e lumenjëve.
I lutesha poetëve për ty,
e ata thurrën varg mbi varg,
deri sa vargjet u rrëzuan mbi mua.
Sonte po i lutem hënës,
deri sa drita e saj të të ringjallë.
Si atëherë, kur nata të jetë yjësuar,
e unë të kridhem në flokët e tu të ç’rregullt.
Të vishem si nimfë a shtojzovalle,
e te bredhë në shpirtin tënd.
Të bëhem Afrodita, flokëarta spirale,
Të të josh me trëndafil e jasemin.
E mëngjeseve të njoma,
rrëmbimthi të nisim udhën e aventurave.
Eja, të degdisemi maleve të Olimpit,
deri sa Erosi të na gjejë.
Me oqeanet të luajmë sonte,
e si me magji, universit të marshojmë.
Në parvazin e dritares, të tretemi,
mes tymit të cigareve, që prekin buzët tona.
Të vallëzojmë me detin kaltëror,
gjersa valët të puthin bregun largpamës.
Vrapo, vrapo furishëm…të dehemi në dashuri,
të kërrusem në gropëzat e faqeve tua, e të gozhdohem në trupin tënd..
Dhe kur dielli të ngryset, sytë e tu flakadanë,
të më ftojnë në fantazitë e zjarrta.
E di, ndoshta jam e çmendur,
por a nuk është dashuria vetë një çmenduri?