Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Viti në kordinim me QRSHP në Gjilan dhe DKA në Viti, sot kanë shënuar me aktivitete Javën Botërore të Imunizimit, e cila shënohet çdo vit me qëllim të rritjes së ndërgjegjësimit për rëndësinë e vaksinimit dhe imunizimit, me moton “Imunizimi është i mundshëm për të gjithë”. Nga viti 2023 MSh dhe IKSHPK kanë zgjeruar programin e Imunizimit, ku kalendarit të rregullt të vaksinave iu janë shtuar tre vaksina të reja: vaksina kundër Pneumokokut, vaksina kundër Rotavirusit dhe vaksina kundër HPV-së. Në QKMF -Viti është mbajtur ligjërata me stafin shëndetësorë për rëndësinë e vaksinimit dhe imunizimit nga trajnerja Fatime Bekteshi. Kurse, në kordinim me QRSHP-Viti dhe DKA, dr.Ismajl Bekteshi ka mbajtur ligjërata edukativo-shëndetësore për nxënësit e shkollave fillore në Remnik, Beguncë dhe Kabash me qëllim rritjen e ndërgjegjësimit për rëndësinë e imunizimit, duke theksuar veçanërisht rëndësinë e vaksinës kundër HPV-së për parandalimin e infeksioneve dhe kancereve të shkaktuara nga ky virus tek të dy gjinitë. Vaksina gjithashtu mbronë nga lythat gjenital. Sipas dr.Vjollca Kadolli -Halili, drejtoreshë në QKMF të gjitha këto aktivitete mbahen me qëllim të vetëdijësimit të qytetarëve për réndësinë e parandalimit të sëmundjeve të ndryshme. Aziz Zuka