Lokemadhja historike, në vend se të mbante armën e lirisë në dorë, mbante bukën dhe shpresën në zemër!
Nuk dilte në front, por në Kullën e Saj, djemtë e vashat e luftës për liri i priste me dashuri, dhe nga Kulla, i përcillte me lot në sy dhe me flamurin në prag!
Kjo është NËNA E UÇK-së – Stana Pjetër Gashi – emër që nuk ka nevojë për përkthim, por vetëm për përulje, nderim e mirënjohje!
29 Prilli 2025, do të mbetet një ngjarje e madhe, që do të hyjë në kalendarin e krenarisë kombëtare!
Nënë Stana, e shoqëruar nga vajzat Filja, Vera dhe Lurdja dhe djemt Filipi, Fatmiri e Viktori – të gjithë pjesëtarë të UÇK-së – u prit me nderime të larta në Selinë e Presidencës nga vetë Presidentja e Kosovës, znj. Vjosa Osmani dhe Gjeneral Dr. Sefer Isufi, Këshilltari Ushtarak i Presidentes!
Kjo nuk ishte një vizitë formale – ishte një përkulje e Republikës para Nënës që i dha gjithçka Lirisë së Kosovës dhe largimit të Serbisë pushtuese!
Nga Lagjja Peshter e Brusit, ku zemra e Kosovës së panënshtruar, rreh ende në ritmin e kujtimeve të luftës, pshallaku i kuq i Nënës Stana Pjetër Gashi, i mbajtur gjatë ditëve të zjarrit nga Nëna, kur priste dhe përcillte luftëtarët e UÇK-së, mbërriti në zemër të shtetit – në Presidencë – si dëshmi e lavdisë, dhimbjes dhe fitoreve të mëdha shqiptare!
Ky pshallak i kuq si gjaku, nuk është thjesht veshje popullore!
Është relikë lirie të fituar me rënie titanike, të Heronjëve e Dëshmorëve të Kombit!
Ky pshallak, është flamur i heshtur që flet për sakrificën sublime!
Është dëshmi që s’ka nevojë për fjalë, sepse për të flet vetë historia lavdimadhe e shekujve të popullit shqiptar!
Sot, Republika e Kosovës përkulet me nderim absolut!
Sot, Shteti ynë i pranuar dhe i njohur ndërkombëtarisht, respekton Nënën e UÇK-së, Nënën heroinë, që priti djemtë dhe vashat e luftës, me bekim dhe i përcolli me besë!
Sot, historia thërret me zë të lartë:
NËNË STANA – TI JE LAVDIA E GJALLË E KËSAJ TOKE, E CILA NË ÇDO PËLLËMBË TË SAJ, E KA TË SHKRUAR NJË HISTORI !
DËSHMI E LAVDISË – ËSHTË PSHALLAKU I NËNËS STANA GASHI, I CILI ARRIN PRESIDENCËN, BËHET BANOR I PËRHERSHËM HISTORIK!
Ismet Sylejmani
Prishtinë, 23 Maj 2025