Sot, në përvjetorin e 26-të të rënies heroike të dëshmorit të kombit, Bashkim Selishta – Petriti, bëmë homazhe në nderim të jetës dhe veprës së tij të lavdishme.
Figura e Bashkimit, si dhe e çdo dëshmori tjetër të rënë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, zë një vend të veçantë në kujtesën kolektive dhe në historinë bashkëkohore të kombit tonë. Ai përfaqëson një simbol të guximit, përkushtimit dhe sakrificës më të lartë për atdheun.
Bashkimi u shqua për gatishmërinë e tij për të qenë ndër të parët në rresht përballë armikut, duke u rreshtuar me nder në frontin e luftës për liri. Me këtë krenari, Qendra Sportive në Gjilanin e pasluftës mban me dinjitet emrin e tij, si kujtesë për brezat që rriten në lirinë për të cilën ai dha jetën.
I edukuar, me sjellje të përkryera dhe qëndrim të palëkundur, Bashkimi u dallua që në rini për shpirtin e tij luftarak dhe përkushtimin ndaj çështjes kombëtare. I sfiduar jo rrallë nga forcat okupuese, ai, ndonëse i ri dhe i fuqishëm fizikisht, asnjëherë nuk u përkul përballë padrejtësisë.
Jeta dhe vepra e tij mbeten shembull frymëzimi për brezat e sotëm dhe të ardhshëm.
Lavdi përjetë dëshmorit të kombit, Bashkim Selishta – Petriti!
Nazim Gagica