Gjilan

Kryetari Alban Hyseni: Familja Jashari ra duke mbrojtur shtëpinë e një populli të tërë

Gjilan, 6 mars 2023 / Kuvendi Komunal i Gjilanit, me një seancë solemne ka shënuar 25-vjetorin e Epopesë së UÇK-së, ku fjalë rasti kanë mbajtur kryetari i Komunës, Alban Hyseni, kryesuesi i Kuvendit, Arianit Sadiku, përfaqësuesit e subjekteve politike: Avdyl Aliu (LDK), Krenare Latifi Kqiku (LVV), Riad Rashiti (PDK) si dhe ish-komandanti i Zonës Operative të Karadakut, Ahmet Isufi.

Duke rikujtuar epopenë e UÇK-së, kryetari Hyseni ka thënë se nga ajo kohë po bëhet një çerek shekulli krenari e mburrje, një çerek shekulli përplot histori e kujtime, një çerek shekulli vuajtje e dhimbje.

5, 6 dhe 7 marsi do të mbesin përgjithmonë 3 ditët e mëdha të popullit shqiptar. Kjo ishte dhe do të mbetet në përjetësi epopeja e UÇK, tha ai.

Duke vijuar më tutje, kryetari Hyseni theksoi se marsi i vitit ’98, përkatësisht data 5, 6 e 7 mars, shënon rrethimin e tretë dhe të fundit të familjes Jashari, e cila luftoi për 3 ditë e 2 net, derisa ranë heroikisht për të mos vdekur kurrë.

Familja Jashari, pa dallim, burra e gra, të rritur e fëmijë luftuan me forcat ushtarake e policore serbe. Ata mbrojtën pragun e shtëpisë, e siç do të kuptohej më vonë edhe shtëpinë e një populli të tërë.

Pas rënies heroike të tyre, kjo do të ndikonte edhe në çlirimin përfundimtar të trojeve shqiptare në Kosovë, troje këto të ndara padrejtësisht nga vendi amë, nga Shqipëria e shqiptarëve.

Sakrifica e tyre ishte thirrje në ndërgjegjen kombëtare, ishte thirrje për gjithë popullin e kombin tonë, ishte motiv dhe shtytje për mijëra shqiptarë, nga e gjithë bota, që t`i bashkohen luftës për liri.

Kaq shumë shekuj luftë, përpjekje të pareshtura për liri, dëshmorë, troje të lara në gjak të bijve e bijave më të mira. Këtë aromë gjaku, për ata që kanë ndërgjegje, e ndjejmë ende mes nesh. Do të jetë përgjithmonë.

Kryetari Hyseni ka folur edhe për të pagjeturit.

Sot e kësaj dite, ne vazhdojmë të kemi plagë të hapura. Ende nuk dihet për fatin e mijëra jetë njerëzish, vëllezër e motra tonat. Nëna, babai, gruaja me fëmijët, motrat e vëllezërit, çdo ditë, në çdo trokitje dere, janë në pritje të një lajmi për më të dashurit e tyre.

Duke folur për të tashmen, kryetari Hyseni tha se sot, në 25 vjetorin e epopesë së UÇK, ne vazhdojmë të përballemi me sfida të shumta.

Shtetësia jonë ende nuk është përmbushur e përmbyllur.

Tashmë jemi në një fazë të ndjeshme për të ardhmen e vendit. Situata gjeopolitike ka sjellë dinamikë të re zhvillimi.

Jemi në një situatë ku kërkohet unitet e bashkim ndërmjet nesh, ashtu siç do të donte të na shihte familja Jashari, komandanti i ushtrisë sonë, udhëheqësi i luftës për liri, ai që bashkoi të gjithë në një strukturë, në një embleme, ka thënë mes tjerash kryetari Alban Hyseni.

Ndërkaq, kryesuesi i Kuvendit, Arianit Sadiku, tha se 5, 6 e 7 marsi i vitit 1998, na kujton ditët më të rëndësishme dhe më kulmore në historinë tonë.

Rezistenca e familjes Jashari po e rikthente dinjitetin e shqiptarëve, e njëkohësisht po e kthente edhe rrjedhën e historisë nga e mbara. Rënia heroike dhe sakrifica sublime e familjes Jashari, ishte  dëshmi e përpjekjes tonë kolektive shekullore për liri.

Komandanti legjendar, Adem Jashari, Hamëz Jashari e gjithë familja Jashari, mbesin udhërrëfyes dhe shembull unik në botë për gjenerata të tëra. Ne i kemi borxh familjes Jashari dhe të rënëve gjithandej vendit, që ta ndërtojmë e ta bëjmë Kosovën tonë ashtu siç deshën ata.

Çdo ditë, sikurse sot, në këtë 25 vjetor të Epopesë së UÇK-së, u jemi mirënjohës dhe u përulemi përjetësisht familjes Jashari, fëmijëve, grave e burrave të mëdhenj të kombit që sakrifikuan jetën për lirinë dhe shtetin që e gëzojmë sot, ka nënvizuar Sadiku.

Për nder të 5, 6 e 7 marsit, autoritetet komunale bënë homazhe te Varrezat e Dëshmorëve në Gjilan, ndërkohë në orën 18:00 do të bëhet ndezja e flakadanëve.

You Might Also Like