Ferizaj dhe Drita janë përballur në xhiron e parë të kampionatit të ri, që është luajtur në Stadiumin me bari sintetik në Ferizaj, në të cilin tashmë janë vendosur tribunat e reja. Pas një loje interesante, Ferizaj ka ngadhënjyer me rezultat 1:0, me një gol të shënuar që në pjesën e parë.
Kryetrajneri i Dritës, Zekirija Ramadani, duke dashur të ruajë disa nga lojtarët që kanë luajtur shumë në garat evropiane, ndeshjen e ka nisur me një formacion më ndryshe, duke lënë në stol disa nga lojtarët kryesorë.
Ferizajasit nisën të dominojnë në fushë dhe kjo u solli rezultat, kur pas një shpërthimi nga e majta në minutën 19, Jakup Berisha me një gjuajtje të saktë ka qëlluar këndin e epërm të majtë të portierit Faton Maloku.
Për Dritën gjërat u vështirësuan edhe më shumë në minutën 33, kur Raddy Ovouka, mbrojtës i majtë u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë dhe Drita mbeti me një lojtar më pak në fushë.
Në pjesëlojën e dytë, në radhët e Dritës u inkuadruan lojtarët e përbërjes së parë dhe Drita pati më shumë nga loja, bile edhe disa raste të mira shënimi, por portieri Ferizajt Jovanovski ishte në formë jetësore dhe ndali të gjitha tentimet e sulmuesve të Dritës, andaj mysafirët nuk ia dolën të barazojnë.
Këto sulme të pareshtura të Dritës lanë shumë zbrazëti në mbrojtje dhe Ferizaj krejt në fund pati dy raste të mira shënimi për të shtuar rezultatin, por në të dyja rastet Maloku priti topin me këmbë, duke shpëtuar gola të sigurt. /kryelajmi.com/.